Kanë arritur në Kosovë edhe 100 mijë doza të vaksinës “Pfizer”, kundër COVID-19. Edhe këto doza kanë ardhur nëpërmjet aleancës së COVAX-it, shkruan Gazeta Mejdani.
Njoftimin e dha në Facebook Ministria e Shëndetësisë.
Dy javë më parë, Kosova po ashtu ka pranuar 38.400 doza të vaksinës nga COVAX-i si dhe 15.000 doza të tjera, donacion nga Bashkimi Evropian.
“Sot kanë arritur 100,620 vaksina Pfizer falë Aleancës Gavi të COVAX. Që nga arritja e 24, 000 dozave të para të vaksinës, të cilat u pasuan nga 38, 400 doza që morëm dy javë më parë, dhe 15, 000 doza, që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor, ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit. Vaksinimi është mjeti thelbësor dhe shpresa më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftim.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FMinistria.Shendetesise.RKS%2Fposts%2F2000691170088460&show_text=true&width=500
“100, 620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë”. Sidoqoftë, pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar ende. Në ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë masat e mëposhtme të parandalimit – mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën e mirë për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të kontribuar në parandalimin e humbjeve të jetës dhe komplikimeve serioze të shëndetit të shkaktuara nga pandemia COVID-19“, thuhet tutje.
Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca. Fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grupmosha 65-79 vjeç.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë për synim që deri në fund të vitit të vaksinojnë 60 për qind të popullatës.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk ka nënshkruar kontratë me ndonjë kompani prodhuese, për sigurimin e vaksinave. Vaksinimi po bëhet me dozat e dhuruara nga OBSH-ja dhe Bashkimi Evropian./Gazeta Mejdani/