Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, dje ka komentuar deklaratën e Albin Kurtit se skena politike e Ballkanit Perëndimor duhet pastruar nga kriminelët e luftës.
Remi ka thënë se në vendin tonë nuk ka pasur krime lufte nga çlirimtarët, ndërsa ka deklaruar se kryeministrin Kurti e ka pasur bashkëluftëtar.
“Po flet ashtu sikur ai e njeh problemin, në vendin tonë nuk ka pasur krime lufte nga çlirimtaret. Unë Albin Kurtin e kam pasur bashkëluftëtar… Me Albin Kurtin jam takuar edhe në shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jemi takuar për qëllime të çlirimit të vendit”, ka deklaruar dje Mustafa, transmeton lajmi.net.
Deklarata e Remit ngjalli reagime të shumta pasi që Kurti edhe më herët është raportuar që gjatë luftës nuk ka pranuar uniformën e UÇK-së dhe këtë e kishte pranuar vetë Kurti kohë më parë.
Në një prononcim për lajmi.net, Rrustem Mustafa – Remi, ka thënë se raportimet rreth deklaratave të tij për Kurtin janë keqinterpretime.
“Komentet dhe interpretimet e asaj që kam deklaruar janë keqinterpretime të qëllimshme dhe si të tilla nuk meritojnë asnjë sqarim, dihen mirëfilli fjalët e mija”, ka deklaruar Remi.
Remi dje ka deklaruar se Albin Kurti gjatë luftës ka qenë me detyra të veçanta në Drejtorinë Politike, ndërsa ka thënë se kanë pasur kontakte gjithëpërfshirëse gjatë kohës sa ishte pjesë e zyrës së Adem Demaçit.
Vetë Kurti, në një deklaratë të dhënë për një dokumentar të realizuar gjatë kohës së luftës në Kosovë, kishte thënë se nuk do të kapte kurrë armë në dorë. Ai kishte thënë se në mes luftës dhe dorëzimit, preferon zgjidhjen pa dhunë.