Duke folur për gjendjen aktuale të politikës kosovare e sidomos për diplomacinë e vendit, Dr. Mustafë Bajrami ka shkruar se ajo lë shumë për të dëshiruar, përcjell Gazeta Mejdani.
Bajrami ka thënë se diplomacio e Kosovës është shumë larg nivelit të diplomacive të vendeve që kanë treguar kujdes dhe respekt për shtetet e tyre.
Për më tepër, ai ka shtuar se duhet ndryshim thelbësor i qasjes ndaj shtetit në të gjitha segmentet tij.
Postimi i plotë i tij në Facebook:
Nëse shikon në veprimet e klasës politike kosovare që nga paslufta, të pozitës dhe opozitës dhe i krahason ato me kombe që kanë traditë shtetërore, të bënë të mendosh se ne shqiptarët nuk duam shtet dhe nuk mund ta durojmë shtetin “mbi krye”.
Për më tepër, nëse ia hedh një sy diplomacisë kosovare, dhe e krahason atë me diplomacitë e shteteve-shtete, kjo ndjejnë forcohet aq sa të bëhet bindje e palëkundshme.
Detyrohem ta them me keqardhje: Ose duhet të ndryshojë mendësia shqiptare mbi shtetin, shtetbërjen dhe ruajtjen e interesave të shtetit, ose vështirë të imagjinohet se një ditë ne mund të bëjmë Kosovën shtet funkcional. Ka vetëm një shancë: Nëse vendet mike të fuqishme na mbajnë e na ruajnë kështu, na këshillojnë e na tërheqin vërejtjen edhe sa e sa herë, dhe dashtë Zoti, vazhdojnë të i dëgjojnë çiteliat tona edhe më tutje.
A thua përgjegjësit e apostrofuar në tre paragrafët e mësipërm kanë lexuar ndonjëherë ndonjë libër mbi historitë e shteteve evropiane por edhe më gjerë, sa për të mësuar si i kanë bërë politikat e brendshme e si i kanë zhvilluar diplomacitë e tyre?! Sidomos diplomacitë e tyre?!
Për sa i dëgjoj unë e si i shohim të gjithë ne si veprojnë e çka flasin këta njerëz, si e sulmojnë tjetrin dhe si e arsyetojnë vetveten, del se përgjigja ndaj pyetjes së lartështruar është krejtësisht negative.
Për fund ose duhet zgjuar nga kjo kllapi që e ka kapluar politikën kosovare, ose duhet të shkruajmë se ne, po, kaq mundemi e përtej kësaj çdo gjë tjetër është vetëm utopi.