Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se një pjesë prej 95 mijë vaksinave të premtuara nga BE do të vijnë javën e parë të muajit maj.
Kurti ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave që erdhën si ndihma është shpenzuar dhe Kosova nuk ka vaksina anti-Covid për momentin për të vaksinuar qytetarët.
Kurti që po qëndron në Bruksel ka bërë të ditur se është takuar me kreun e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, dhe ka treguar se njëra prej temave që është diskutuar është edhe ndihma me vaksina.
“Kemi folur edhe për sigurimin e vaksinave. Ne jemi shteti i vetëm europian që nuk kemi marrë vaksina nga Kina dhe Rusia. Kontingjenti i parë që erdhi me ndihma nga Covax kishte 24 mijë vaksina. Ato kanë mbaruar. Tani folën me zonjën Von der Leyen e cila na premtoi edhe 95 mijë vaksina të cilat, një pjesë e tyre do të vijë javën e ardhshme”, tha ai në intervistë për RTK-në nga Brukseli.
Tutje ai tha se kjo do të ndihmojë shumë në sektorin e shëndetësisë, mirëpo edhe në ekonomi.
“Javën e ardhshme. Ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe shëndetësinë. Kështu do të kontribuohet edhe në zhvillimin sektorit publik, përvecse në sektorin e shëndetësisë”, shtoi ai.