Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se refuzimi i kryeministrit, Albin Kurti për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq është i drejtë.
Haradinaj thotë se ai takim ishte caktuar pa konsultim me palën kosovare.
“Refuzimi i Kryeministrit Kurti të takimit të 11 majit është i drejtë. Ai takim ishte caktuar nga Borell e Vuçiq pa konsultim me palën kosovare. Takimet e formatit të tillë, duhet paraprakisht të dakordohen me institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.
Haradinaj ka shtuar tutje se “Praktika e dakordimit Bruksel – Beograd, duke nxjerrë Kosovën para aktit të kryer, nuk do të pranohet asnjëherë nga Kosova”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Kurti është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Bruksel, ku ka takuar zyrtarë të lartë të BE-së.