Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi kufizimet më të rrepta të pandemisë së vendit deri më tani – duke filluar që të enjten – për të luftuar një rritje të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19.
Sipas mediave të huaja, masat e reja do të përfshijnë mbylljen e bizneseve dhe shkollave, kufizimin e udhëtimeve dhe udhëzimin e njerëzve për të qëndruar në shtëpi për gati tre javë.
Deri më tani Turqia kishte vendosur bllokime të pjesshme për të mbajtur bizneset në punë pasi përballet me një recesion të rëndësishëm ekonomik.
Por Erdogan tha se të gjitha bizneset do të duhet të mbyllen nëse nuk thuhet ndryshe nga ministria e brendshme.
Ata që përjashtohen nga mbyllja pritet të përfshijnë bujqësinë, shëndetësinë dhe bizneset e higjienës.
Supermarketet gjithashtu do të qëndrojnë të hapura përveç të dielave. Udhëtimet ndër-qytete do të kenë nevojë për leje dhe shkollat do të kalojnë në arsimin online.
Masat do të jenë në fuqi deri më 17 maj dhe përfshijnë festën myslimane të Bajramit të Madh.
Ndryshe, Turqia më parë i kishte udhëzuar njerëzit të qëndronin në shtëpi mbrëmjet, fundjavat dhe pushimet.
Erdogan tha se pa kufizime më të rrepta dhe nivele më të ulëta të infeksioneve, do të kishte një “çmim të rëndë” për turizmin, tregtinë dhe arsimin. Ai tha se qëllimi është të zvogëlojmë infeksionet ditore në 5,000.
Infeksionet dhe vdekjet u rritën pasi Turqia hoqi kufizimet e pjesshme në mars kur qeveria provoi një përpjekje “të kontrolluar normalizimi” duke kategorizuar provincat e Turqisë në katër nivele rreziku.
Kjo përpjekje dështoi dhe virusi u përhap nëpër qytete dhe provinca, i nxitur nga mutacionet që e bënë atë më ngjitës.
Vendi me 83 milionë banorë ka regjistruar më shumë se 4,6 milionë infeksione dhe gjithsej 38,711 vdekje.