Qeveria e Republikës është ankuar se nga administrata e Zyrës së Kryeministrit po rrjedhin informata. Ata që po i nxjerrin vendimet dhe emërimet e nënshkruara nga Kurti, para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i ka quajtur “kapës të shtetit”.
“Që nga fillimi kryeministri Kurti dhe kabineti i tij sfidohen nga individë ende të panjohuar nga administrata e Zyrës së Kryeministrit. Vendimet dhe emërimet e nënshkruara nga ai, shpesh, vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar rrjedhin në media para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, dhe madje përgatiten shkresa me gabime teknike. Kapësit politikë të shtetit i kemi larguar me 14 shkurt dhe 22 mars, por sigurisht se ka shumë të tillë nëpër zyrat e shtetit”, ka thënë ai në një postim në Facebook.
Kryeziu ka folur edhe për vendimin nga mbledhja e fundit që ka thënë se “është përmirësuar menjëherë”.
“Dokumenti i përmirësuar është protokolluar, por megjithatë shkresa e vjetër, para se të asgjësohet, është publikuar nga administrata. Administrata duhet t’i shërbejë kryeministrit të shtetit, jo ta luftojë atë”, ka thënë Kryeziu.