Kryeministri Albin Kurti ka thënë se askush s’mund ta shpenzojë pasurinë që nuk e fiton. Ai në një video-mesazh të publikuar në Facebook ka thënë se janë të bindur se do të kenë sukses në synimin për ta bërë ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kurti tha se ligji do t’i hapë rrugë themelimit të një agjencie të re prokuroriale të pavarur, e cila do ta konfiskonte pasurinë e paligjshme e të pajustifikueshme.
“Në këtë drejtim, ligji i ri do të synojë t’i hap rrugë themelimit të një agjencie të re jo prokuroriale, e cila synon të jetë e specializuar për luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme. Kjo agjenci do të jetë e pavarur dhe do të ketë për funksion hetimin e pasurisë së pajustifikueshme në fushën civile”, tha Kurti.
Ai shtoi se një agjenci e këtij lloji funksionon edhe në Britaninë e Madhe.
“Por, edhe agjencia e re që synojmë të themelojmë nuk është diçka e re dhe e padëgjuar. Në Britani të Madhe kemi Agjencinë për Krime të Rënda e cila është komplementare me organet e ndjekjes, pastaj kemi Bullgarinë me Komisionin për Luftimin e Korrupsionit dhe Pasurive të Paligjshme si organ shtetëror i pavarur etj”, thotë Kurti.
Fjalët e Kurtit:
Para vetes ne kishim tri opcione:
I pari, të vazhdojmë status quo-në dhe paligjshmërinë.
I dyti, të mundohemi të përmirësojmë legjislacionin ekzistues duke shpresuar se do të përmirësohet sistemi i drejtësisë, dhe
I treti, të synojmë një ligj të ri i cili sjellë një mekanizëm të ri ligjor.
Me këtë koncept dokument ne kemi zgjedhur të tretin. Derisa procesi i Vettingut në drejtësi të realizohet, ne duhet të veprojmë, prandaj po sjellim një ligj të ri, i cili heq të gjitha dyshimet dhe të gjitha pengesat për luftimin e kriminalitetit, dhe në këtë opcion nuk jemi vetëm. Tashmë disa shtete të Bashkimit Evropian, sikurse Irlanda, Sllovenia, Gjermania, si dhe Italia, por edhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë zgjidhje të ngjashme.
Baza e koncept dokumentit që e kemi kaluar dje e që presim që shpejt të kthehet në ligj është krijimi i mundësisë së konfiskimit të pasurisë së paligjshme pa një aktgjykim dënues, pra konfiskimi në procedurë civile e cila mund të iniciohet edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues. Kjo hap rrugën që pas konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ndaj personit të dyshuar të ngritet aktakuzë në fushën penale. Pra, ligji që po synojmë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme me bazë civile e plotëson legjislacionin për konfiskimin e pasurisë në fushën penale. Kështu, aty ku ligjet plotësojnë njëra-tjetrën do të kemi më shumë efektshmëri të shtetit ligjor dhe goditje të krimit dhe korrupsionit.
Ligji i ri nuk do ta prekë kornizën ekzistuese ligjore në fushën e konfiskimit. Në fakt, e gjithë korniza ligjore ekzistuese do të vazhdojë të mbetet në fuqi për të luftuar kriminalitetin. Për më tepër, konfiskimi civil do të shërbejë si mjet i fundit dhe nuk do përvetësojë, në parim, primatin e konfiskimit tradicional penal. Mënyra se si kjo do të funksionojë në praktikë do të varet nga procesi i mëtejshëm i draftimit të ligjit, por ajo që do të ruhet është se ligji i ri duhet të mundësojë që kur dyshohet se pasuria e përvetësuar është bërë në rrugë joligjore atëherë duhet të mundësohet veprimi për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme në rrugë civile.
Në këtë drejtim, ligji i ri do të synojë t’i hap rrugë themelimit të një agjencie të re jo prokuroriale, e cila synon të jetë e specializuar për luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme. Kjo agjenci do të jetë e pavarur dhe do të ketë për funksion hetimin e pasurisë së pajustifikueshme në fushën civile.
Por, edhe agjencia e re që synojmë të themelojmë nuk është diçka e re dhe e padëgjuar. Në Britani të Madhe kemi Agjencinë për Krime të Rënda e cila është komplementare me organet e ndjekjes, pastaj kemi Bullgarinë me Komisionin për Luftimin e Korrupsionit dhe Pasurive të Paligjshme si organ shtetëror i pavarur etj.
Pra, kemi edhe shembujt edhe përvojat që do t’i ndjekim për të siguruar se procesi do të jetë i suksesshëm.
Natyrisht se një ligj i tillë nuk do të kalojë pa debat parlamentar e shoqëror. Koncept dokumenti që u miratua dje tashmë ka kaluar në procesin e rregullt konsultues dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt, me debate e me konsultime shteruese në mënyrë që t’i heqim të gjitha dilemat dhe të marrim të gjitha garancitë se ligji i ri nuk do të cenojë pronën private dhe liritë elementare. Mirëpo, çdo diskutim nuk e ndryshon synimin e qëllimin e krijimit të mundësisë së konfiskimit të pasurisë së paligjshme në rrugë civile. Ajo që është e pashpjegueshme, e paarsyetueshme, e pajustifikueshme nuk mund të jetë e ligjshme.
Të dashur qytetarë,
Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën duhet t’i jap fund e do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”.
Askush nga ne nuk mund të shpenzojë pasurinë që nuk e fiton. Në jetën e përditshme ne skuqemi kur na bie zori që të kërkojmë diçka hua, dhe bëjmë gjithçka që të jetojmë brenda mundësive tona, nga rroga dhe puna jonë e ndershme. Por, ju e dini se për shumë kohë, ata që kishin duart në buxhetin e shtetit nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet por përvetësuan pasuri që nuk e justifikojnë dot. Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon.
Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as e ligjshme sepse ajo kurrë nuk është fituar.
Qeveria do të veprojë në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë.
Ju faleminderit.