1. Për të kuptuar më mirë dukurinë e arratisjes së studentëve tanë, do të ishte mirë të analizoheshin shkaqet, ngase nga pasojat tash për tash, nuk mund të konstatojmë asgjë.
Kujtojë që shkaqet fillimisht, do të duhej kërkuar në disa drejtime dhe në disa aspekte që do të mund të përmblidheshin kryesisht:
a.në qasjen që aktualisht institucionet tona shtetërore i kushtojnë sistemit të shkollimit në të gjitha nivelet,
b. grupimet apo koncentrimet tejet të larta të studentëve nëpër institucione arsimore,
c.procesin e seleksionimit dhe të pranimit pa kritere të duhura të kontingjenteve të reja që rekrutohen nga nivelet e ulëta ato të mesme dhe të larta shkollore…etj. Natyrisht, këto shkaqe janë përmbledhur vetëm në vija të trasha, ngase në vija më të holla do të duhej një studim më i thellë empirik lidhur me këto nevoja faktike që për momentin, nuk mund ta bëjnë grupet jo kompetente, por institucionet e shtetit që janë ende në gjumë të thellë..!?
2. Arsimi kosovar sot për sot është duke iu ekspozuar një rreziku evident i cili ka të bëjë me karakterin stihik, ngase thjesht ai nuk është në shërbim të interesave nacionale të vendit, siq është në vendet e rajonit. E themi kështu edhe për shkak se mania që ka kapluar Kosovën viteve të fundit për të poseduar domosdo një diplomë universiteti, pa ndonjë mbikëqyrje dhe udhëzim adekuat nga ana e institucioneve përkatëse siç janë psh ai i akreditimit, dhe institucioneve tjera shtetërore, lehtë mund të marr epitetet e një fetishi që detyrimisht na qon edhe kah mënyra jo legale e marrjes se certifikatave dhe diplomave falso!Pra, shitja thënë më thjeshtë e diplomave universitare, në një aspekt e devalvon edhe rëndësinë e arsimit si tërësi e që më pastaj ky devalvim shumë lehtë shndërrohet edhe në krizë të gjithmbarshme shoqërore dhe me pasoja afatgjata.
3. Arsimimi bashkëkohor në parim do të duhej të shndërrohej në një proces bashkëpunimi, zgjerimi të dijes si dhe vënie të raporteve të tilla shoqërore, ku dija shkencore nuk mund të absorbohet pa zhvillimet e reja teknologjike që instalohen përmes hulumtimeve shkencore nëpër institute dhe qendra të ndryshme eksploruese, e qe në universitetin e Prishtinës mund t’i numërosh në gishta. Themi kështu edhe për shkak se arsimimi bashkëkohor në fakt e “zbulon” afinitetin e studentit për të menduar në mënyrë kreative, që nënkupton iniciativat personale të mësuarit të vetive dhe specifikave të fenomeneve që ai merr për bazë hulumtuese, e njëkohësisht edhe interpretimin e tyre me parametra shkencorë. Pa këto standarde, sidomos në nivelin master dhe atë doktoranturës, ne as që mund të krenohemi se jemi në trend dhe koherencë me zhvillimet dhe proceset arsimore rajonale, e për ato globale, as mos te flasim!
Prof. Dr. Fadil Maloku