Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha sot në Kuvendin e Kosovës se nuk ka asnjë dyshim se tronditjet që solli pandemia COVID-19 në sistemin arsimor kanë ndikim afatshkurtër dhe afatgjatë edhe në Kosovë, sikurse në vendet tjera.
Nagavci para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për arsimin në kohë pandemia tha se pasojat janë evidente edhe në mësimnxënie.
Ajo tha se referuar statistikave, nga 12,109 mijë testime të mësimdhënësve, 3365 kanë rezultuar të infektuar dhe fatkeqësisht 29 mësimdhënës kanë vdekur.
“15 për qind është shkalla e infektimit të mësimdhënësve”, tha ajo.
Ministrja e Arsimi, po ashtu tha se janë testuar 6,653 nxënës dhe nga ata kanë rezultuar të infektuar 2652, ose 0.8 për qind.
Nagavci i është përgjigjur edhe kritikave të partive opozitare për organizimin e arsimit gjatë pandemisë, duke thënë se për më shumë se dy dekada, ka pasur ndërhyrje brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.
“…Gjendja në arsim është larg rezultateve që të gjithë ne i synojmë dhe i dëshirojmë dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale e partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në përgjithësi. Ju lus që të reflektoni për ndikimet që keni pasur në të kaluarën dhe të angazhohemi bashkë për të përmirësuar bashkë këto…”, u shpreh Nagavci.