Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot ka mbajtur mbledhjen e rregullt ku është bërë ndarja e Komisioneve Parlamentare.
Pas përfundimit të kësaj mbledhje, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se Grupi Parlamentar i LVV-së do të udhëheq me 7 komisione nga 14 gjithsejtë.
“Grupi parlamentar i LVV-së do të kryesojë me komisionin për buxhet punë dhe transfere, komisionin për legjislacion mandate dhe imunitete, komisionin për punë të jashtme, komisionin për arsim, shkencë, teknologji dhe ndërmarrësi, komisionin për bujqësi, komisionin për shëndetësi, si dhe komisionin për qeverisje lokale.
Ndërkaq nënkryetar do të kemi në komisionin për të drejta dhe interesat e komuniteteve, komisionin për integrim evropian, komisionin për ekonomi, komisionin për industri, ndërmarrësi e tregti, komisionin për çështje të sigurisë, komisionin për të drejtat e njeriut, komisionin për financa publike, dhe komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se në këto komisione LVV do të jetë e përfaqësuar nga 5 deputetë, dy do të jenë nga PDK, një nga LDK, një nga Lista Serbe dhe një nga 6+.
Kusari-Lila shtoi se seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të premten në orën 10:00, ku do të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe formimi i komisioneve. Ndërsa votimi për zgjedhjen e presidentit, deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se do të bëhet në një seancë tjetër për të cilën ende nuk është bërë e ditur kur do të mbahet.