Ka arrivistë që e shohin politikën si mundësi që fati u ka dërguar për të ngjitur shkallaren e pushtetit, pasi bashkë me pushtetin hapen edhe shumë dyer, që nuk hapen në asnjë mënyrë tjetër. E në fund të këtyre dyerve shohin zerot e shtuara në llogaritë bankare.
Shkruan: Nuredin NAZARKO
“Arti” i të vjedhurit. Ky është perceptimi më i zakonshëm, më i përhapur dhe më i konsoliduar sot për politikën në Shqipëri. Nëse do të listonim karakteristikat e një politikani, lista do të ishte më shumë se e zezë për sa i takon raportit mes veseve dhe virtyteve. Të gjendur mes një realiteti ku si politika dhe politikani janë kthyer në sinonim të batakçillëkut, njerëzit e kanë të vështirë të marrin një vendim nëse duan të përfshihen ose jo në politikë.
Të përfshihesh në politikë nuk do të thotë domosdoshmërisht të pajisesh me dokument anëtarësie si dëshmi e patjetërsueshme e ideve dhe bindjeve politike. Përfshirja në politikë është esenciale për mbarëvajtjen e një shoqërie. Njerëzit duhet të përfshihen në politikë përderisa u besojnë politikanëve dhe qeverisen prej tyre. Përfshirje do të thotë të mos qëndrosh aspak indiferent e moskokëçarës ndaj figurave të përfshirë aktivisht në politikë, ndaj sjelljeve dhe qëndrimeve të forcave politike që e kanë pushtetin e radhës ose mëtojnë të vijnë në pushtet. Indiferenca është vrastare. Interesimi për çka ndodh në mjedisin politik është jetik për përcaktimin e vlefshmërisë së një qeverisje të caktuar. Si do të mund ta vlerësojmë punën e një qeverie të caktuar nëse jemi kryekëput indiferent ndaj reformave që ndërmerr ose ligjeve që miraton shumica parlamentare prej nga ku del dhe ekzekutivi?
Ka arrivistë që e shohin politikën si mundësi që fati u ka dërguar për të ngjitur shkallaren e pushtetit, pasi bashkë me pushtetin hapen edhe shumë dyer, që nuk hapen në asnjë mënyrë tjetër. E në fund të këtyre dyerve shohin zerot e shtuara në llogaritë bankare.
Ka të tjerë që e shohin si një mundësi për të kontribuar qoftë edhe pak në përmirësimin e klimës politike në vend. Nisen me shumë dëshirë, entuziazëm dhe kur nuk arrijnë të realizojnë pritshmëritë, tërhiqen në hallet e përditshmërisë.
Ka dhe një grup të tretë që nuk u qaset aspak dyerve të politikës për të qenë pjesëmarrës aktivë në forcat politike, por që mund të jenë legjionarë të rregullt votimesh ose jo. Kjo pjesë ka menduar të sigurojë jetesën përmes zanatesh e profesionesh që nuk kalojnë nga politika, pikërisht sepse e dinë që gurët e mullirit të politikës bluajnë fort.
Përballë këtij realiteti shtrohet pyetja: A duhet të merren të rinjtë, dhe jo vetëm, me politikë?
Rinia është shpresa e një kombi. Por, kjo rini duhet edukuar me frymën e një perceptimi tjetër mbi politikën. Është e thjeshtë të përthithësh dhe të krijosh stoqe teorike në tru mbi politikën si arti i të qeverisurit ose arti i së mundurës. Por, në realitetin e përditshëm a i qëndrohet besnik asaj çka mësohet në teori?
Politika është arti i të qeverisurit. Është arti që e bën një shoqëri njerëzore të jetojë në standarde normale të jetës, ku punësimi, të ardhurat, respekti i dinjitetit të profesionistit nuk zhbëhet nga zelli militantesk dhe arrivist. Por, nëse ky art bie në duar të gabuara, vepra që del prej aty shndërrohet në makth e agoni për atë shoqëri që do të ketë këtë fat.
Nëse të rinjtë do të neveriten nga përfshirja në politikë dhe do t’i largohen asaj si një leprozi, nuk është dhe aq përgjegjësi e tyre direkte. Kjo është përgjegjësi e atyre që nga arti i të qeverisurit e kanë kthyer politikën në artin e të vjedhurit. Shkrimtari i madh A. Çehov, në një prej novelave të tij, thotë: “E madhe është bota, por gjënë e vjedhur nuk ke ku e fsheh”.
Nëse disa individë ia kanë vjedhur artit politik virtytin, duke e përbaltur deri në krahasime fyese me prostituimin si diçka krejt normale, kjo nuk do të thotë se gjendja ka marrë fund. Këta individë nuk mund të fshihen pas gishtit të “moralistit”, duke përdorur retorikën si mburojë të zhbërjes së artit të qeverisurit prej sloganit tepër të mirënjohur, qëllimi justifikon mjetin.
Është detyrë e të rinjve ta kthejnë vëmendjen nga politika si arti i të qeverisurit drejt. Arti i të bërit të mundur që edhe njeriu më i dobët e më i pa mbështetur të ketë një jetë brenda standardeve normale të një jete njerëzore. Është detyrë e të rinjve të përmbysin veprimin mbytës të politikës si art, bëni si them unë, por mos bëni ç’bëj unë.
Edhe në mos u përfshifshin drejtpërdrejt në politikë, të rinjtë duhet të interesohen për zhvillimet politike në vend dhe jo të tregohen indiferentë me justifikimin se “ç’më duhet politika kur nuk përfitoj gjë prej saj?!”. Indiferenca ndaj politikës i shërben vazhdimësisë së politikës si arti i të vjedhurit. Nëse tregohen indiferentë ose, akoma më keq, shiten politikisht duke justifikuar shitjen si përpjekje për t’i shërbyer kombit, nuk duhet të dalin në publik e të qahen se e keqja ka mbërthyer vendin, shoqërinë.
Të rinjtë duhet të përfshihen në politikë për t’i kthyer këtij arti të bukur shkëlqimin e mirësisë në shërbim të shoqërisë me vepra konkrete dhe jo me ujë të rrahur në hava. Politika kërkon fuqi vendimmarrëse. Kërkon energji, sakrificë, lodhje. Realizimi i së mirës, së drejtës, nuk duhet të mbetet vetëm në letra pa vlerë. Duhen marrë vendime e duhen kryer veprime që tregojnë seriozitetin e fjalëve. E kush më mirë se të rinjtë mund t’ia kthejnë ndriçimin politikës, si anija me të cilën lundrimi është i qetë edhe në detin më të trazuar?
Pse konservatorizmi?
Të gjithë e duan ndryshimin, po askush nuk do të ndryshojë. Ky është një realitet i prekshëm. Të paktë janë ata/ato që e duan vërtet ndryshimin që fillon nga njeriu si qenie. Shumica ëndërrojnë ndryshim të shoqërisë pa ndryshuar individi.
Njeriu është i lirë të zgjedhë e të mbështesë secilin kah politik që mendon se e realizon më mirë të mirën e përgjithshme dhe të mirën individuale. Idetë janë ato që e tregojnë vlerën e njeriut ose antivlerën e tij, kjo sepse varet nga cilat ide ushqehet zemra e njeriut. Ne jemi çfarë mendojmë, sepse në veprim nuk mund të jemi ndryshe nga mendimet që janë pjesë e qenësishme e qenies sonë. Duhet kujdes i madh se çfarë idesh mbjellim në shpirtin dhe në zemrën e një të riu ose të një të reje. Kjo vlen dhe për idetë politike.
Pse konservatorizmi?
Është fare e thjeshtë për të përcaktuar arsyet që duhet t’i shtyjnë të rinjtë të mbështetin konservatorizmin. Por, është jo dhe aq e thjeshtë për të gjetur njerëz që janë të gatshëm të mbrojnë vlera të qenësishme të konservatorizmit, përballë lëndës irracionale dhe iluzive që ofron antikonservatorizmi me ide utopike mbi shoqërinë, ku të gjithë janë të barabartë ose ku të gjithë janë të lirë të bëjnë çfarë të duan me vetet e tyre, qoftë edhe duke shkelur me të dy këmbët mbi parimet morale, duke e quajtur këtë shkelje fitore mbi tabutë.
Pse konservatorizmi?
E para arsye e qenësishme: Konservatorizmi mbështetet tek besimi në Zot. Edhe SHBA, si demokracia më e konsoliduar, si shteti me respekt të madh për liritë dhe të drejtat e njeriut mbështetet tek “In God we trust”. Prej këtij besimi burojnë vlera, pa të cilat jeta e njeriut dhe vetë shoqërisë njerëzore do të përfundojë tek thënia e famshme e Thomas Hobbes: Homo homini lupulus est (Njeriu për njeriun është ujk).
Mbështetja tek besimi në Zot i jep konservatorizmit vlera, parime që nuk mund të vijnë nga asnjë rrugë tjetër, sado e zbukuruar të jetë ajo rrugë nga duart e sharlatanëve që u intereson vetëm panorama skenike, por jo thelbi, esenca.
E dyta arsye: Konservatorizmi mbështetet tek familja e përgjegjshme dhe e konsoliduar. Familja është e shenjtë dhe si e tillë duhet ruajtur, pavarësisht se në erën liberale shkërmoqja e saj është kthyer në qëllim. Prej familjeve me vlera e parime do të rriten njerëz të cilët do ta kenë në gjen dashurinë për të mirën, për të bukurën, për të drejtën. Nuk mund të ketë shoqëri të mirë me familje të groposur nga mendësitë liberale, ku i vjetri shihet si i tepërt. Ku prindi nëpërkëmbet dhe përfundon në azil ose çmenduri, nga papërgjegjshmëria e fëmijës që e ka për detyrë të përkujdeset deri kur të ndërrojë jetë. Ku bashkëshorti ose bashkëshortja jetojnë për hesap të vet, pa marrë në konsideratë përgjegjësitë që burojnë nga institucioni i shenjtë i familjes. Ku institucioni i martesës po konsiderohet si mbeturinë e së shkuarës. Konservatorizmi nuk mund ta kompromentojë veten me të tilla mendësi, për t’u dukur më bashkëkohor. Nuk mund të përdorë makijazh liberal mbi bukurinë shpirtërore të vlerave që beson se ka dhe i mbron.
E treta arsye: Konservatorizmi mbështet zhvillimin individual të qenies njerëzore, duke pasur vlerësim maksimal për lirinë individuale si vlerën më qenësore të njeriut. Por, jo lirinë për të kryer çfarë të duash e me këtë rast të dëmtosh veten ose të tjerët. E kemi fjalën për lirinë që formon njerëz të përgjegjshëm, për fjalët dhe veprat që kryejnë. Njerëz që dinë të mbajnë mbi shpatulla peshën e vendimeve që bazohen tek e drejta, morali dhe jo arroganca personale. Njeriu me vlerat morale që duhet ta karakterizojnë është bazamenti i konservatorizmit. Pa këta individë nuk ka frymë. Nuk mund ta pranojë konservatorizmi të formohen njerëz të kallëpit “ç’më duhet mua se ç’bëj unë?” dhe më pas të marrin në dorë përgjegjësinë e qeverisjes së shoqërisë. Kjo do të ishte me i var ujkut mëlçitë në qafë. A mund të pajtohet konservatorizmi më këtë?
E katërta arsye: Konservatorizmi mbështetet tek e drejta, jo si eskluzivitet i të fortit, por si e vlerë themelore e një shoqërie të lirë, ku individi nderohet në dinjitetin e vet, respektohet në profesionalizmin e tij dhe çmohet për vlerat që përcjell realisht për shoqërinë, kombin.
E pesta arsye: Konservatorizmi mbështetet në zhvillimin ekonomik tek prona private dhe njeriun si thelbin e zhvillimit. Pa pronë private nuk ka as shoqëri të zhvilluar. Por, këta privatë nuk duhet të harrojnë vlerat esenciale me të cilat janë edukuar. Ata nuk duhet të shndërrohen në shtypës, gllabërues e zhvatës. Ashtu kalojnë në anën e së keqes. Si të tillë nuk mund të jenë konservatorë. Të qenit konservator do të thotë ta zhvillosh më tej pronën tënde, por pa harruar trajtimin njerëzor të atyre shpatullave mbi të cilat siguron përfitimet. Konservatori nuk harron të jetë bamirës, ndihmues. Ai duhet të çmojë fort punën, përpjekjen, sakrificën për zhvillim ekonomik, por të zgjatur edhe dorën e bamirësisë ndaj nevojtarëve, për të mos lejuar turlifarë maskash që t’i përdorin të varfrit si mashë për qëllimet e tyre të errëta utopike.
Nëse duam një shoqëri të zhvilluar, të konsoliduar në vlera, të mos ëndërrojmë më sy hapur dhe ta presim shpëtimin nga ideologji që e dimë mirë se çfarë janë të afta të shkaktojnë. Ndjekja e njëmendtë e vlerave konservatore, jo thjesht sa për formë, është dhe mbetet rruga e vetme që një shoqëri të ndriçojë e lulëzojë. Konservatorët nuk mund të jetojnë në gjendje iluzive utopike.