Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe në Gllogjan në 23-vjetorin e zhvillimit të betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet “Epopeja e Dukagjinit”.
Kurti nga Gllogjani tha se rastisja që kjo Betejë të zhvillohej më 24 mars e një vit më vonë edhe NATO t’i fillonte bombardimet tregon për një rend logjik të gjërave.
“Këtu në Gllogjan u dha Kushtrimi i Lirisë në Dukagjin. Lufta Çlirimtare u përhap gjithandej dhe një vit më vonë pushkëve të lirisë iu bashkëngjiten avionët e NATO-s dhe nuk vonoi e u çlirua Kosova. Pra 24 marsi i Epopesë së Dukagjinit dhe 24 marsi i ndërhyrjes së NATO-s na tregojnë rendin logjik të ndërhyrjes së gjërave. Njëherë pushka jonë, pastaj ndërhyrja e NATO-s. Në ditë të shënuara si kjo bëjmë nderin për dëshmorët, për ata që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë dhe të përparojmë”, tha Kurti.
Kurti u pyet edhe për aktakuzën e konfirmuar të ngritur ndaj Liburn Aliut, ministrit të emëruar nga ai në dikasterin e Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kurti tha se aty nuk është vendi të jepen komente për këtë çështje
“Tek ky vend i dëshmorëve nuk mund të flasim për politikat e ditës”, u shpreh shkurt Kurti.