Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit, me gjithsej 58 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
E pas më shumë se një muaj, filloi formimi i institucioneve të vendit.
Dje Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancën konstituive, në të cilën u bë betimi i deputetëve si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.
Pro zgjedhjes së Konufcës kanë votuar 69 deputetë, 33 kundër dhe asnjë abstenim.
E pas zgjedhjes së tij, janë zgjedhur dhe tre nënkryetarë nga LVV, PDK dhe LDK.
Saranda Bogjuevci është zgjedhur nënkryetare e LVV-së, Bedri Hamza nënkryetar nga radhët e PDK-së dhe Kujtim Shala nga LDK, shkruan Bota sot.
Nënkryetarët e rinj nga partitë me shumicë shqiptare, janë zgjedhur me 107 vota për dhe gjashtë vota kundër.
Nga komuniteti serb, nënkryetar është zgjedhur Sllavko Simiq, derisa nënkryetar i pakicës joserbe është zgjedhur deputeti Bekim Arifi.
Mirëpo ajo se çfarë mori vëmendjen nga kjo seancë ishte numri i madh i votave që Sllavko Simiq mori, shkruan “Bota sot”.
Sllavko Simiq nga komuniteti serb mori 91 vota e që krahasuar me Konjufcën i cili mori 69 vota, i bie që Simiq mori 22 vota më shumë kryetari tashmë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kjo padyshim që kjo nxiti reagim tek opinioni publik, pasi që t’i jepet vota më shumë një zyrtari nga komuniteti serb se sa atij shqiptar, lë shumë për të diskutuar.
Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën të dëshpëruar për një akt të tillë, sipas tyre të përkrahësh një zyrtar serb është njësoj sikur të përkrahësh shtetin e Serbisë.
Sipas tyre është e patolerueshme që disa deputetë vazhdojnë të përkrahin shtetin e Serbisë.
Shahu: Serbët bëjnë politikë, shqiptarët bëjnë inate
Njohësi çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se serbët nuk e kanë votuar Konjufcën mirëpo njëjtë sikur ata nuk kanë vepruar edhe shqiptarët sepse këta të fundit e votuan zyrtarin serb.
Sipas Shahut, shqiptarët nuk lidhen më njëri-tjetrin por me serbët dhe këtë për çështje votash.
“Serbët nuk e kanë votuar Glaukun mbase, shqiptarët e kanë votuar Sllavkon. Gjithë këto zgjedhje ishin mbase më shume se kurrë zgjedhje inati, më shumë se kurrë zgjedhje emocionale të frymëzuara nga thashethemet më shumë se nga arsyet. Në shumë raste janë shqiptarët e politikës, natyrisht jo me të zgjedhurit e shoqërisë në Kosovë, që po tregojnë se nuk bëjnë pa serbët që janë në parlamentin e Kosovës. Shqiptarët nuk lidhen me njëri-tjetrin por lidhen me serbët për çështje votash”, u shpreh Shahu.
Analisti më tej shton që shqiptarët vazhdimisht po bien dakord me serbët e jo mes veti, sikurse edhe dje që ndodhi, ku patë më shumë vota një zyrtar serb sesa ai nga Kosova.
Gjithashtu Shahu thotë që serbët bëjnë politikë në parlament ndërsa shqiptarët hedhin vetëm gaz lotsjellës në parlament.
“Shqiptarët duke mos rënë dakord në njëri-tjetrin, bien dakord me serbët në parlament. Po të dakordohen shqiptarët me njëri-tjetrin, serbët bëhen shumë të parëndësishëm në parlament. Kështu ka frymëzuar politika e ditës sot në Kosovë, marrëveshje e mirëkuptim me serbët e parlamentit. Pra për fund, serbët bëjnë politikë në parlament, shqiptarët mund të hedhin vetëm gaz lotsjellës në parlament”, ka theksuar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.
Qarri: Ata që e votuan Simiqin, kanë llogari të pambyllura me Vuçiçin
Ndërsa, analisti politik Gani Qarri, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, fillon reagimin në lidhje me votimin e Simiqit nga na e shqiptarëve, duke cituar Konicën “ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët”, e që sipas Qarrit votimi i Simiqit nga ana e zyrtarëve shqiptar tregon edhe njëherë sa nënshtrues i jemi shtetit të Serbisë.
Sipas tij, nëse para po këtyre deputetëve parashtrohet ndonjë aktvendim për kthimin e Serbisë në Kosovë, atëherë sipas analistit po këta deputetë do ta votonin prapë.
“Rilindësi i mirënjohur kombëtar Faik Konica, njëri prej figurave më të shquara të letërsisë, kulturës dhe kritikës letrare shqiptare si dhe veprimtar i dalluar politik i kohës me qëndrim properëndimor euro-amerikan, duke parë çorientimin total të bashkëkombësve të vet, deklaronte nga frika e dëshpërimi; “Ruaje zot Shqipërinë nga shqiptarët!”, prej të cilëve ajo rrezikohej më së shumti, njëjtë si Kosova dje, të shitej e copëtohej tek secili pretendues apo “blerës” potencial, ndaj dhe luftoi deri në vdekje për zhvillimin e një mendësie të re bashkëkohore dhe ndryshimin e modelit përulës e arkaik të të menduarit dhe të vepruarit të shqiptarëve. Pas votimit të Sllavko Simiqit me hiq më pak se 91 vota, i njëjti model i çuditshëm përulës e nënshtrues po përsëritet edhe mbi një shekull më vonë, nga shqiptarët në Kosovë, ndaj kjo duhet të na bëjë të gjithëve, të lutemi, në tokë e qiell, që, mos e dashtë Zoti, të parashtrohet para këtyre deputetëve palaço, të cilët komb e atdhe kanë paranë, ndonjë kërkesë apo aktvendim për kthimin e Serbisë në Kosovë, sepse kam shumë frikë që “bash” të gjithë 120 deputetët do ta miratonin, vetëm për tu folur edhe një herë serbisht në parlament dhe pasur Vuçiqin president të tyre”, ka thënë Qarri.
Analisti nga ana tjetër thotë që kjo gjendje e krijuar gjatë ditës së djeshme tregon që Kosova ka nevojë edhe për një palë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, mirëpo që deputeti të zgjidhet në bazë të zonës ku i detyrohet vetëm votuesit e jo partisë ose kryetarit të saj
Tutje, ai thotë se të gjithë ata që e votuan Simiqin kanë llogari të palara me Vuçiçin dhe në këtë mënyrë mundohen t’i përfundojnë ato.
“Kjo dëshmon se Kosova ka nevojë urgjentisht edhe për një palë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe atë sa më shpejtë dhe assesi vetëm me një zonë zgjedhore në gjithë Republikën e Kosovës, ku partia emëron deputet, jo kandidatët që fitojnë , por të dëgjueshmit e saj dhe ata që i nënshtrohen partisë, ndaj është koha e fundit, të ndryshohet ligji dhe zgjedhjet të mbahen në disa zona, ku secila zonë do ta zgjidhte dhe votonte përfaqësuesin e vet, në mënyrë që deputetët të mos i detyrohen më partisë as kryetarit të saj të inkriminuar, por të kenë detyrim dhe mbajnë përgjegjësi, vetëm para votuesve të vet. Përndryshe edhe në të ardhmen, na pret, po kjo që ndodhi sot, dhe përderisa përfaqësuesi i një partie shqiptare merr 69 vota për kryetar parlamenti, nga më se 100 deputetë shqiptar, ndërsa Sllavko Simiq 91 vota të tyre, kjo flet hapur se kryetarët, nëse jo edhe partitë e inkriminuara, kanë llogari të pambyllura ndaj Listës serbe si dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë dhe i detyrohen vet Aleksandër Vuçiçit, i cili po dëshmohet se ka krijuar bazë të fort edhe në parlamentin tonë dhe me gjithë arrestimin e Thaçit nga specialja, ndikimi i Serbisë në Kosovë vazhdon fort dhe i papenguar”, ka potencuar analisti.
Qarri shton se ndikimi i Serbisë vazhdon të jetë prezent dhe kjo u vërejt gjatë ditës së djeshme, ku e votuan më shumë një zyrtar serb sesa shqiptar.
Në fund, analisti thotë se Vuçiçi edhe pas 21 vite, po vazhdon të ketë ndikim në Kosovë.
“Këtë e vërtetuan vet deputetët e pa turp shqiptarë të cilët më shumë e votuan një kandidat të pakicës si Sllavko Simiq, që bashkë me Listën Serbe, as që e njohin shtetin e Kosovës, se sa një kandidat shqiptar për kryetar të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, akt i cili flet publikisht se Serbia ka ndikim të tepërt në Kuvend dhe tek partitë e inkriminuara, si dhe tek deputetët shqipfolës që ranë kaq poshtë në provimin e pa-dinjitetit të tyre, duke shtuar dyshimet se kanë llogari të hapura me Listën serbe dhe detyrime nënshtruese ndaj vet Aleksandër Vuçiçit, i cili mjerisht edhe 21 vite pas çlirimit të vendit, vazhdon nga Beogradi, ti komandojë këta në Kosovë”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.