Kuvendi i Kosovës njofton për seancën e nesërme konstituive, duke filluar nga ora 10:00.
Në njoftimin dërguar mediave, është bërë i qartë edhe rendi i ditës.
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
Dhënia e betimit të deputetëve,
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”.
“Gjatë kohëzgjatjes së seancës, mediat mund të qëndrojnë në ballkonin e sallës plenare, konform Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit…Po ashtu, Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet: · Ueb faqes së Kuvendit, · Kanalit zyrtar të Kuvendit në youtube, si dhe RTK-së, si medium publik”, përfundon njoftimi.
Por kush do ta udhëheqë seancën e parë kur do të konstituohet përbërja e re e legjislaturës së VII të Kuvendit?
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës ka sqaruar se kush e kryeson seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në nenin 9 pika 1 të kësaj Rregullore thuhet se punimet e mbledhjes konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër i legjislaturës i ndihmuar nga deputeti më i ri sipas moshës. Kjo udhëheqje parashihet të vazhdoj deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në rast se ata mungojnë ose refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët sipas moshës vijnë menjëherë pas tyre.
Rregullorja e ka paraparë edhe atë se çfarë duhet të bëj deputeti më i vjetër e më i ri gjatë udhëheqjes së seancës konstituive.
Në të njëjtin nen, por në pikën 3, thuhet se pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kryesuesi i mbledhjes kërkon nga partitë e përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.
Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Kurti.
Kurti ka thënë se do ta krijojë Qeverinë me partitë e komuniteteve joserbe