I nderuar akademik,
Duke ndjerë shqetësimin e brendshëm timin për fatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të themeluar e udhëhequr në kohën e artë të saj nga Dr. Ibrahim Rugova, më lejoni t’ju kërkoj vetëm një gjë të vogël: – Pas dorëheqjes rrini në shtëpi, ju lutem! Lëreni Lidhjen Demokratike të vetëpastrohet e vetëreformohet! Çdo orë që ju i qëndroni mbi kokë asaj sjell fatkeqësi të reja për të.
Shkruan: Prof. Dr. Asoc, Enver Bytyqi
Ju, zoti Mustafa, erdhët në krye të Lidhjes Demokratike përmes një intrige puçiste. U hoqe atëherë si krejt i painteresuar për të qenë në krye të kësaj partie, derisa në momentin e fundit thatë: “Unë do jem kryetar i LDK-së”! Të njëjtën metodë ndoqët edhe para pak vitesh në zgjedhjet e fundit të kryetarit. Thatë se “nuk do të kandidosh”. Pastaj një ditë para mbledhjes së kuvendit vutë dikë nga kryesia që të të lutej: “Aman zoti Mustafa, mos na lër e të ikësh”! E organizove intrigën përmes krijimit të idesë se, nëse ti largoheshe, LDK do përçahej.
Nuk e di kush t’i përgatiti në të shkuarën gjithë këta skenarë. Por e di se kishe përkrahjen e fuqishme të Hashim Thaçit dhe miqve të tij. E miqtë e Hashimit janë në varg deri në Beograd. Por jam i sigurt se skenari i marrjes së 50 për qind të firmave të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për të kandiduar për kryetar të saj, është pjellë e inteligjencës serbe. Duhet ta pranojë gjithkush se kjo logjikë nuk ka brenda saj asnjë grimë demokracie. Jam i sigurt gjithashtu se skenari i intrigës për ta sjellë LDK-në para alternativës “Ose më ripranoni për kryetar, ose shkatërrohuni”, është gjithashtu pjesë e fantazisë së Beogradit”! Askush nuk beson se të tilla akte janë në dobi të Kosovës e çka nuk është në dobi të Kosovës automatikisht është në dobi të Serbisë.
Nëse ke ndërmend që më 14 mars të luash të njëjtën lojë intriguese e të njëjtin blof, atëherë të siguroj se Lidhjen Demokratike të Kosovës do ta çosh në humnerë. Do ta bësh një parti pa elektorat si Nisma e Fatmir Limës! Nëse ti nuk do të largohesh një orë e më parë nga zyrat e LDK-së, atëherë ti do të jesh aty për ta shkatërruar atë, siç e shkatërrove në fakt.
Të dëgjova kur the se nuk ishte ti kryesues i listës. Nuk të lëshohet ty fjala nga goja krejt kot. Kishe për qëllim që dështimin e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit t’ia faturoje Avdullah Hotit. Do ia faturoje kujtdo tjetër, vetëm që ti të rrije jashtë përgjegjësisë. Të dëgjuam edhe kur rekomandove pasardhësin tënd. Edhe ky ishte provokim i rëndë anti-demokratik, një provokim që shpreh gjithashtu mentalitetin prej monarku, që ka të drejtë të caktojë trashëgimtarin!
Por nëse nuk do ta marrësh ti përgjegjësinë e plotë për këtë dështim spektakolar, atëherë do t’i ngatërrosh të gjitha punët brenda kësaj partie. Por as kjo nuk mjafton. Ti duhet t’i marrësh me vete edhe një pjesë të kryesisë së partisë, që të ka mbështetur ty në projektin serb të shkatërrimit dhe rrënimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me ty duhet të jenë së paku tre nënkryetarët, Agim Veliu, Haki Rugova e deri diku edhe Lutfi Haziri. Them për këtë të fundit deri diku, sepse ai ka pasur guximin që të dalë ndonjëherë ndesh me politikat tua, por në fund të ka mbështetur ty në marrëzinë tënde.
Zoti Mustafa!
Në vjeshtën që vjen Kosova do të zhvillojë zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave. Ti ke qenë vet kryetar komune në Prishtinë dhe e di se sa e rëndësishme është të fitosh në zgjedhjet lokale. Sot LDK udhëheq diku te dhjetë komuna gjithsej. Nuk janë pak. Prishtinën nuk e more në zgjedhjet e kaluara, sepse thoshe se “Prishtinën e fitoj me duar në xhepa”! Dhe qytetarët ta treguan pragun e derës. Të njëjtin gabim e përsërite kur rrëzove qeverinë legjitime të partisë tënde në koalicion me Vetëvendosjen, duke thënë se “Qytetarët nuk e votojnë qeverinë”! Pastaj në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar shkove me sloganin se “Vjosa nuk na merr asnjë votë”! Dhe qytetarët të thanë se “Qeverinë e zgjedhim ne e jo ti Isa Mustafa me intrigantë të tjerë brenda e jashtë partisë tënde, përfshirë Hashim Thaçin”!
I rrene keq për të disatën herë qytetarët dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike dhe dole me këpucë të kuqe. Tani me ato këpucë dëshiron të shkosh në kuvendin e partisë më 14 mars, pra të dielën e ardhshme. Unë ju këshilloj të rrini në shtëpi, zoti Isa! Nëse shkoni në atë mbledhje, mundet që të merrni ndonjë këpucë të ndonjë anëtari të LDK-së kokës! Sepse e meritoni një gjuajtje me këpucë. E meritoni për humbjen që i shkaktove partisë së Rugovës, por akoma më shumë për sjelljen hipokrite dhe dëshirën për të diktuar ti pasardhësin, në mos për të qëndruar vetë në krye të kësaj partie. E meritoni, sepse duke shkatërruar LDK-në, i hiqni Kosovës një aset të çmueshëm nga duart e saj!
Për të gjitha këto arsye, i nderuar zoti Mustafa, duhet të distancohesh plotësisht nga LDK dhe përpjekjet e saj për ta gjetur rrugën e duhur. Të kërkosh ndjesë publike e të shohësh punët e bizneset tua e të familjes, nëse do të lejojnë Vjosa e Albini që t’i gëzosh ato! Për të gjitha këto, nëse beson pak në Zot, duhet ta lejosh Lidhjen Demokratike të vetëreformohet, të zgjedhë njerëzit që i duhen. Dhe të jesh i sigurt se kundërshtarët e tu brenda partisë janë më të besuarit dhe më të devotshmit për ta rikthyer me integritet LDK-në në lojën politike në Kosovë.
Së paku në fundin e karrierës tënde politike bëje një të mirë! Mos u merr asnjë minutë më me partinë që e shkatërrove. Në fund të fundit, kur janë në përfundim të karrierës edhe kriminelët pendohen dhe shkojnë në kishë ose në xhami që të rrëfehen e të gjejnë paqe. Bëje dhe ti këtë, tërhiqu dhe kërko ndjesë, me qëllim që të gjesh pak paqe në jetën tokësore e jo tokësore.