Është Ramazan dhe agjërueshëm të erdha Baca Adem. Kalova nëpër troje shqiptare dhe tek ti u ndala. Nga jugu e deri në veri qëndrova pranë përmendoreve të trimave që ranë sikur edhe t`i për idealet e shoqërisë njerëzore. Me askënd nuk bisedova më shumë se që dua të flas me ty, me shpirtin e shqiptarit të madh, të njeriut njeri.
Shkruan: Mustafë Bajrami
Tek ti u ndala sepse ti je pikënisja e regjenerimit të vetëdijes shqiptare. Domethënia e sakrificës së njeriut të shtypur e të ndrydhur. Me mburrje qëndroj pranë teje këtu që të marrë energji në rrugën për t`i kontribuar edhe më tutje këtij nënqielli. Ti ishe dhe mbete inspirim për të gjithë; për të majtët dhe të djathtët që frymëzohen nga vepra jote. Për fetarët dhe jo-fetarët që thirren në sakrificën tënde. Për myslimanët që krenohen me ty. Për të krishterët që mburren me emrin tënd. Para teje u gjunjëzuan edhe të huajt të cilët propozuan Çmimin Nobel për paqe, për ty dhe familjen tënde.
Bacë! Po qëndroj pranë varrit tënd jo për tu përkulur. Nuk ishte përkulur as Xhozo teksa qëndroi pranë varrit të Muhamendit a.s. Nuk e bëjë dot siç e bëjnë disa kur vijnë e përkulën para trupit tënd, pa rregull e pa norma protokolli. Vepra jote më bëri të vijë këtu, në Prekazin e Shqiptarisë. Sepse besimi i thellë që pate në Zotin tek ti reflektoi forcën e njeriut që lidhet fortë për tokën ku ka lindur. Vetëm Zoti mund t’i shpërblejë drejtë dhe si duhet njerëzit siç ishte ti. Sot jam këtu për shkak se ti ishe shqiptar i vërtetë dhe besove në vlerat e kombit tënd. I kultivove ato dhe u mbështete në vullnetin tënd të hekurt për liri. Ti besove në punën, përpjekjen, sakrificën dhe në luftën e njeriut për liri. Mrekullitë i krijove me duart e tua e në fund doli se jeta jote ishte e tëra një mrekulli.
Bacë! Krenohem me fuqinë tënde madhështore për t’i ndejë në ballë armiqve të kombit.
Thellësisht përjetoj madhështinë e veprës dhe të mësimeve tua që ua le bashkëkombësve tu. Por, Baca Adem, unë jam duke e përjetuar thellë peshën e vështirësive të Kosovës e të gjithë kombit shqiptar. Po të ishe gjallë, do të ndjeheshe keq kur t’i shihje të rinjtë tanë nëpër rrugët e Evropës teksa bredhin të ikur nga vendi yt për të cilin jetën dhe çdo gjë tjetër e flijove. Do të ishe ndjerë keq, sepse edhe pas 15 vjet nga vdekja jote me mijëra shqiptarë treten nëpër llogore, burgje e nëpër male të Hungarisë teksa ikin nga Kosova për të cilën u flijove. Në mes idealeve tua për Kosovën dhe realitetit të saj sot ka dallime shumë të mëdha. Edhe pse nuk është e largët koha kur ti iu ktheve Zotit si dëshmor dhe dëshmitar i përkushtimit tënd ndaj atdheut, besnikëria dhe sinqeriteti i shqiptarëve ndaj vendit është venitur shumë në krahasim me besnikërinë dhe sinqeritetin tënd në kohën kur ti jetove.
Fuqia e fjalës dhe veprës sate ishte e pastër dhe sublime, ndërsa ideali yt ishte Kosova e pavarur. Ti ishe i frymëzuar nga vepra e profetit që punoi shumë për atdheut e vet të cilin kurrë nuk e harroi. As kur u ngrit në qiell, e as kur në tokë e mundonin njerëzit që i kishte përreth.
Bacë, në mesin tonë ka të mjerë që mundohen ta zbehin emrin e madhërishëm të Adem Jasharit. Ata po prekin në dinjitetin tënd. Në kujdesin dhe dashurinë tënde ndaj familjes, dhe pa fije turpi të quajtën kriminel. Kam frikë se një numër i tyre flasin e shkruajnë për qejfin e atyre që u japin të hanë, që u qesin në gotë të pinë dhe u lëshojnë ndonjë metelik në dorë. Në atë dorë që Allahu e kishte mallkuar përgjithmonë.
Megjithatë, Bacë, ka ende shqiptarë që u djeg zemra për Shqipërinë, për bashkimin e trojeve shqiptare dhe për fjalën “Shqiptari”. Teksa kaloja nëpër troje shqiptare unë pashë patriotë që e donë shumë kombin dhe atdheun. Por ama, ata janë të pafuqishëm të bëjnë atë për të cilën t`i vdiqe. Kanë vullnet të bëjnë më shumë por nuk mundin. Përmendorja jote në Shqipëri kishte mbetur pa kujdesin e merituar sikur edhe amaneti i veprës sate në Kosovë.
Deformimet, mistifikimet dhe kufizimi i respektit për ty në vetëm vizita sa për të kujtuar vdekjen tënde janë përfytyrime të gabueshme, të zbehta dhe larg vullnetit tënd që pate për lirinë. Teksa qëndroj pranë varrit tënd kujtoj njerëzit që harruan përmbajtjen e fjalës dhe amanetin e veprës sate. Ata, pa fije përgjegjësie, pa ambicie dhe pa ndjenjën e kreativitetit për punë u lëshuan në formalizma sa për sy e faqe.
I dashuri Bacë! Emri i yt sot përmendet më shumë se kur t`i ishe gjallë. Fotografia jote qëndron e varur gati se në çdo mur. Për ty shkruhet e këndohet sikur asnjëherë më parë. Përmendoret e tua janë gjithkund. Për ty janë thurur poezi e janë bërë filma të tërë Me emrin tënd janë emërtuar rrugë, godina e pallate, por sa ia vlen kjo kur ne më nuk punojmë sipas idealeve tua që pate për atdheun tonë.
Shqiptarët janë në pozitë të rëndë, Baca Adem. E di se ti nuk ngritësh më nga varri. Por, dije, nevoja për frymëzim nga vepra jote është e madhe. Ajo po ndjehet në të gjitha poret e jetës së kombit shqiptar.
Bacë, intelektualët, akademikët si dhe elita politike shqiptare nuk mund të lirohen nga përgjegjësia për këtë gjendje ku kemi rënë. Ne ende debatojmë se kush është intelektual. Ende pyesim për rolin e akademive ndërsa për elitën nuk dimë se kush është ajo! Akademitë e huaja përgatisin platforma, memorandume dhe shkruajnë histori, e akademitë tona bëjnë sehir.
Bacë, edhe pas gjithë këtyre vuajtjeve shqiptarët nuk donë të mësojnë. Ata, sikur të pa tru, ende flasin me dyshime se a thua çka është më mirë për ne; të bashkohemi apo të mbetemi kështu siç jemi! Jemi prurë në gjendje të pyesim se çka është patriotizmi. Kush është patrioti dhe çka duhet të bëjë ai! Edhe më tutje filozofohet për kosovarizmin, shqiptarizmin, gegërishten, toskërishten, të kaluarën dhe të ardhmen fetare të shqiptarëve.
Nuk mësuam nga historia. Ndoshta sepse nuk jemi ne ata që po e shkruajmë atë. Kemi institute, shoqata, katedra e fakultete, por askush nuk shkroi historinë ashtu që të jetë mësuese për gjeneratat që po vijnë. E kaluara jonë sulmohet egërsisht, kritikojmë secilin shqiptar, sulmojmë çdo vlerë që patëm, njollosëm çdo emër dhe në fund u sulmua edhe emri yt, Adem Jashari. Dashakeqët dhe injorantët janë në skenë. Nuk lanë asgjë pa njollosur, askënd nuk e kursejnë, secilin e sulmojnë dhe çdokënd e trazuan. Shqiptarët janë pezull në ajër ndërsa poshtë tyre kërcasin dhëmbët e qenve që edhe më tutje shkretërojnë shqiptarinë.
Baca Adem! Në Kosovë thuajse çdo gjë është tjetërsuar. Vlerat morale nuk janë më ato që ti kishim ruajtur e kultivuar për shekuj të tërë. Përkushtimi ndaj familjes, ndaj prindit e ndaj mikut ka rënë nën çdo nivel. Respekti ndaj punës është zbehë, ajo që i takon shoqërisë nuk ruhet, ndërsa imazhi i kombit është nëpërkëmbë. Ndryshime pësoi edhe jeta jonë fetare të cilën e kishim pasuri, dhe e cila na dallonte nga shumë kombe të botës; toleranca e dikurshme nuk ekziston. Nuk pranojmë mendimin tjetër dhe secili pretendon që vetëm ai ka të drejtë, por jo edhe të tjerët.
Rinia jonë është vënë në gjumë dhe gabimisht ëndërron Evropën. Imiton atë por nuk përfiton nga vlerat e saj. Rinisë sonë nuk po i thuhet se rinia evropiane e pas luftës kishte punuar shumë, kishte fjetur pak, edhe më pak kishte harxhuar por ishte avangarde e rimëkëmbjes se saj. Rinisë shqiptare nuk i është shpjeguar si duhet Evropa e pasluftës. As kuadri fetarë i Bashkësisë Islame por as të tjerët nuk po japin kontributin e duhur në shpjegimin e përvojave të kombeve që kaluan nëpër ditë të vështira, sikur që po kalon edhe kombi shqiptar. Në vend që ta shpjegojmë Evropën dhe ti flasim rinisë si e kishte përballuar ajo gjendjen e rëndë të dikurshme pas lufte, rinisë shqiptare i janë hapur kafehane, shtëpi publike, kumarhane, disko, bingo e bastore gati më shumë se në gjithë Evropën. Rinia evropiane e pasluftës, e ndihmuar nga gruaja e atjeshme pa përtesë dhe pa ndërpre ndihmoi në pastrimin e rrënojave të luftës dhe mbi to, për më pak se 10 vite u ndërtua e gjithë infrastruktura e nevojshme për funksionimin dhe prosperitetin e shteteve evropiane. Shembulli më i mirë për tu veçuar ishte gruaja dhe rinia gjermane për të cilët fare pak shkruhet dhe askund nuk flitet.
Bacë, fabrikat e dikurshme që na sjellnin para, sot janë hiper-markete që na i marrin ato. Paraja e shqiptarëve dërgohet jashtë, sepse në Kosovë thuajse asgjë nuk prodhohet. Universiteti me të cilin ti krenoheshe, për nga kualiteti sot është ndër të fundit në botë. Spitalet janë në mjerim, nuk kanë barna e as preparate të nevojshme për të sëmurit. Kosova është shndërruar në koloni, jo e të huajve, por e atyre që donë ta hanë për së gjalli.
Bacë, sot këtu pran varrit tënd po mundohem që thellësisht ta përjetojë dhe ta kuptoj problemin e zhvillimit të gjithëmbarshëm të kombit shqiptar. Edhe në këtë gjendje të rëndë që jemi, kam shpresën se do të gjejmë një rreze dritë në fund të tunelit. Ani pse të ndarë e të përçarë si është ma zi, ani pse gjithë ky keq-menaxhim dhe keq-përdorim i pushtetit që është bërë dukuri e keqe e jona, shpresojmë shumë se një ditë do t’ia dalë mbanë.
Të këqijat që po manifestohen në jetën tonë nuk duhet të na frikojnë e as të na bënë pesimistë. Jam i sigurt se është duke u punuar diçka e re dhe e mirë. Kriza dhe kjo dhembje që ka populli jonë është rezultat i Lindjes së Re. Dhimbjet gjatë lindjeve te reja janë mëse normale. S’ka dyshim se kombi do të gjen rrugën e drejtë e Kosova do ta fitojë betejën me antivlerat që janë përhapur gjithandej. Që kanë ngulfatur frymën dhe shpirtin tonë.
Jetësimi i idealeve tua për shqiptarët është shpresë për triumf. Kontributi e veprës sate në këtë drejtim përjetësisht është shumë i madh, i dashuri Baca Adem!
P/S: Kjo “bisedë” me Bacën Adem Jashari është shkruajtur në muajin Ramazan të vitit 2013. Përmbajtja është reale por e shprehur me gjuhë letrare simbolike. Shkrimi ka qenë botuar atëherë në disa media. Sonte me shkas po e ribotoj përsëri.
(Kujdes! Temat që i prekë shkrimi, në ato vite kanë qenë preokupimet kryesore të shoqërisë shqiptare, sidomos të neve në Kosovë. Përçarjet politike në Kosovë si dhe ikja e të rinjëve tanë nëpërmes Hungarisë kanë qenë dy temat më e prekshme e asaj kohe. Duke mos i lënë anash as disa shkronjës të paskrupullt që patën filluar të shkruanin kundër emrit dhe personalitetit legjendarë të Adem Jasharit).