Në repartin COVID në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës momentalisht janë duke u trajtuar 4 gra shtatzëna.
Gjendja e tyre shëndetësore është stabile, dy prej tyre së shpejti pritet të lindin pasi janë në javët e fundit të shtatzënisë.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress drejtori i kësaj Klinike, Jakup Ismajli i cili tha se nga janari i vitit 2021 e deri tani në këtë repart të dedikuar për COVID janë trajtuar gjithsej 21 shtatzëna.
“Momentalisht në repartin e dedikuar për COVID për shtatzëna, janë të hospitalizuara katër paciente. Dy janë në javën e 37 apo 38 të shtatzënisë, kurse dy janë shtatzëni të hershme, njëra në javën e 22-të dhe njëra në javën e 29-të. Këto dy shtatzëna që janë në javën e 37-të njëra pritet, meqenëse lindjen e mëparshme e ka me prerje cezariane, pritet që brenda javës të përfundojë (kryejë lindjen). Kurse tjera është në shtatzëninë e dytë dhe me lindje normale. Gjendja e pacienteve është stabile. Në vitin 2020 i kemi pasur gjithsej 103 paciente (me COVID) që kanë kërkuar trajtim në klinikën tonë, 47 kanë përfunduar me lindje, kurse të tjerat kanë qenë shtatzëni të cilat pas trajtimit dhe mjekimit janë lëshuar për shtëpi. Kurse në vitin 2021 i kemi 21 shtatzëna (me COVID), një lindje me prerje cezariane”, theksoi Ismajli.
Meqenëse ditëve të fundit janë shtuar rastet e reja të të prekurve me COVID-19, Ismajli tha se institucionet kanë bërë një lirim të parakohshëm të masave anti-COVID dhe kjo tash po reflekton në rritje të shifrave.
“Rritja e numrit të përgjithshëm të të infektuarve me COVID, reflektohet edhe tek shtatzënat kështu që në dy-tri javët e fundit kemi pasur vetëm nga një paciente të hospitalizuar, por me rritjen e numrit ditëve të fundit po shihet se nuk janë respektuar masat aq sa duhet, fushata elektorale dhe mosrespektimi i masave, mos mbajtja e distancës, mendoj se është bërë e parakohshme një lirim i tillë dhe kjo po na reflektohet edhe në numrin e shtuar të të infektuarve me COVID, ne i kemi diku 20 shtretër dhe jemi të përgatitur për të pranuar paciente dhe për t’i përfunduar lindjet”, tha ai.
Meqenëse virusi SARS-COV-2 ka prekur një numër të madh të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë, aktualisht në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike nuk ka të infektuar, por vetëm 1 në specialistikë dhe 3 infermiere janë në vetëizolim për shkak të kontakteve me persona të infektuar me COVID-19.
“Për momentin kemi një specialiste në vetëizolim dhe tri infermiere në vetëizolim. Të infektuar nuk kemi, por vetëm në vetëizolim, disa kanë familjar e burrin të infektuar me COVID, kështu që janë në vetëizolim derisa të dalin rezultatet”, theksoi Ismajli.
Drejtori i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, Jakup Ismajli në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për numrin e lindjeve të realizuara në këtë klinik gjatë vitit 2020.
Ai tha se për shkak të pandemisë në këtë klinik vitin që shkoi janë kryer rreth 700 lindje më pak.
“Në vitin 2020 kemi pasur rreth 8 mijë e 800 lindje, 3 mijë e 120 janë kryer me prerje cezariane, kurse pjesa tjerë janë kryer me lindje normale. Vërehet një rënie diku kemi pasur 600-700 lindje më pak mirëpo kemi pasur parasysh se për shkak të volumit të madh, një numër i madh i pacienteve disa që kanë pasur sigurime shëndetësore, lindje kanë kryer në spitale private por edhe disa lindje janë ndalur në spitale”, theksoi ai.
Nga 13 marsi i vitit 2020 deri më 22 shkurt 2021, në Kosovë janë regjistruar mbi 66 mijë e 600 raste me COVID-19, prej tyre 1,575 pacientë kanë vdekur. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58 mijë e 359 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6706./Gazeta Mejdani/