Vonesat në negociata, mostransparenca si dhe gjendja politike në Kosovë, vlerësohet se kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë, në kohën kur pothuajse të gjitha shtetet në rajon kanë filluar vaksinimin.
Në Shqipëri tashmë ka filluar arritja e kontingjenteve të vaksinës së Pfizer-it pothuajse çdo javë, kurse në prill, siç ka paralajmëruar kryeministri, Edi Rama, pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360,000 dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it nga “një shtet mik”.
Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz.
Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.
Derisa disa nga këtyre shtete kanë bërë negociatat direkte me kompanitë për të siguruar vaksinat, Kosova është në pritje të vaksinës së AstraZenecas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarë ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj kishte thënë se “Sapo me erdhi emaili zyrtar se kontigjenti i parë i vaksinave do të vijnë në muajin shkurt. Ky është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e Kosovës”.
Më 5 janar, në një postim në Facebook, ministri Zemaj pati konfirmuar sigurimin e 500,000 vaksinave kundër COVID-19 nga kompania farmaceutike Pfizer. Por, nga kjo kompani vazhdimisht kanë deklaruar se negociatat me Kosovën ende po vazhdojnë.
Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, të mbajtur të hënën, pothuajse nuk u diskutua fare se kur do të fillojë vaksinimi, pos që Zemaj tha se “angazhimi ynë ka qenë maksimal për sigurimin e vaksinës në sasi të mjaftueshme për 75 për qind të popullsisë”, pa e cekur se deri ku ka arritur ky proces. Ai nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet e REL-it pas takimit, lidhur me këtë çështje.
Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë këtij takimi deklaroi se Kosova është në pritje të kontingjentit të parë të vaksinës AstraZeneca, e cila pritet të arrijë në kuadër të programit të COVAX-it.
Fatmire Mulhaxha -Kollçaku, nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është edhe epidemiologe, tha se vonesat e arritjes së vaksinës kundër sëmundjes COVID-19 që shkakton koronavirusi, po ndodhin për shkak të papërgjegjshmërisë të qeverisë dhe mosmenaxhimit të duhur të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ministri e ka obligim të dalë para qytetarëve dhe të deklarojë se kur do të furnizohet Kosova me vaksina dhe kur qytetaret do të vaksinohen. Nuk ka mundësi që të iket nga kjo përgjigjje sepse tashmë për një kohë të gjatë është deklaruar edhe është lavdëruar se janë në bisedime dhe janë duke kontraktuar, është thënë në një kohë të gjatë, mirëpo vaksina ende mungon”, tha Mulhaxha- Kollçaku.
Infektologu Ilir Tolaj, thotë se vonesa e sigurimit të vaksinës për qytetarët e Kosovës është shqetësuese. Sipas tij, kjo situatë bëhet më shqetësuese kur shihen zhvillimet dhe sigurimi në masë të madhe të vaksinave nga vendet e rajonit./Gazeta Mejdani/