Profesori amerikan në Universitetin e New Yorkut, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit, Alon Ben-Meir, thotë se në ekzekutivin e ardhshëm, Albin Kurti, duhet ta lë jashtë qeverisë Listën Serbe dhe të shmangë “gardën e vjetër”.
Sipas tij, 10 parlamentarët e garantuar për pakicën serbe duhet të jenë pjesë e qeverisë vetëm nëse ka një proces të rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në lidhje me njohjen e Kosovës nga Serbia.
Ben-Meir shton se me këtë fitore të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti duhet të përfitojë nga mundësia për të bërë koalicion me grupet e pakicave, duke mos përfshirë pakicat serbe, në mënyrë që të tregojë se qeveria është me të vërtetë e shqetësuar për mirëqenien e tyre.
“Kurti duhet të shmangë futjen e ndonjë prej “gardës së vjetër” në Qeverinë e re. Në çdo rast, partia e mëparshme në pushtet, PDK, nuk do të donte të bëhej një partnere e vogël në qeverinë e re të udhëhequr nga Kurti, por gjithashtu publiku dëshiron një largim të qartë nga politikat e qeverisë së mëparshme, të cilat u konsideruan joefektive dhe të ndotura me korrupsion. Për më tepër, LDK nuk dëshiron t’i bashkohet qeverisë në radhë të parë, por edhe nëse e bën këtë, agjenda e saj politike e brendshme dhe e politikës së jashtme nuk janë në përputhje me Vetëvendosjen”, shkroi Ben-Meir në Facebook.
Sidoqoftë, shkruan tutje, “unë nuk besoj se 10 parlamentarët e garantuar për pakicën serbe duhet të jenë pjesë e qeverisë, të paktën jo në këtë moment, përveç nëse ka një progres të rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në lidhje me njohjen e Kosovës nga Serbia”.