Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir, ka komentuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për shpalljen “non grata” të dy zyrtarëve rusë nga Zyra Ndërlidhëse e Federatës Ruse në Kosovë.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Ben-Meir ka thënë se presidentja Vjosa Osmani, kishte terren të fortë që të kërkonte shpalljen e këtyre dy zyrtarëve si persona të “padëshiruar” në vend.
Sipas profesorit, Rusia po vazhdon të punojë për minimin e sigurisë kombëtare në Kosovë.
“Besoj se ka një terren absolutisht të fortë që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme shpalljen e dy diplomatëve rusë persona “non grata”. Dihet se Rusia vazhdon të angazhohet në akte të ndryshme spiunazhi për të minuar sigurinë kombëtare të Kosovës’”, është shprehur analisti amerikan.
Ai ka vënë theksin se Rusia po bën gjithçka që mundet të parandalojë çdo proces pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës.
“Moska është një mbështetëse e vendosur e Serbisë dhe po bën gjithçka që mundet të parandalojë çdo proces pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës, që është pikërisht e kundërta e asaj që po promovon BE. Aktivitetet e spiunazhit të Rusisë kundër Kosovës janë pjesë përbërëse e strategjisë së saj në këtë drejtim”, ka thënë Alon Ben-Meir, për gazetën.
Presidentja Osmani, ka njoftuar se zyrtarët rusë janë shpallur të “padëshiruar” për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Ajo është zotuar se Kosova do të punojë më tej me amerikanët dhe evropianët, “për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”.
Njëri nga rusët, ishte shpallur “non grata” edhe nga Shqipëria, pasi që në janar të këtij viti, sipas qeverisë, vazhdimisht ka thyer masat anti-covid në këtë vend.