Kandidatja për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti është bërë nënë. Ajo ka sjellë në jetë një djalë që e ka emëruar Jani.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka uruar atë dhe i ka dëshiruar shëndet foshnjës, transmeton Indeksonline.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se nëse gratë izolohen pasi të bëhen nëna, nuk është faji i tyre por i një shteti që shtyn drejt pabarazisë.
Për më shumë lexojeni postimin e plotë të Albin Kurtit:
Tinka Kurti është bërë nënë. Uroj që ajo dhe djali i saj Jani të kenë shëndet kurse prindërit e Janit ta shijojnë prindërimin.
Përveçse anëtare e kryesisë sonë, Tinka është edhe në listën tonë si kandidate për deputete. Me këtë vendim, që të garojë në këtë periudhë delikate për të, ajo ka treguar se përgjegjësitë e prindërimit duhet të ridefinohen në Kosovë. Barra për kujdesin ndaj fëmijëve e sidomos foshnjat nuk duhet të bjerë vetëm mbi gratë. Ato kanë nevojë për mbështetje institucionale e profesionale.
Nëse gratë izolohen pasi që bëhen nëna, nuk është faji i tyre por i një shteti që shtyn drejt pabarazisë. Ndërkohë shteti duhet ta ketë pikërisht rolin e kundërt.
Në Lëvizjen tonë insistojmë për ndarjen e barabartë të pushimit prindëror, në hapjen e më shumë çerdheve publike. Madje, për mbledhjet tona në VETËVENDOSJE! edhe e organizojmë e mirëmbajmë vetë këndin për fëmijtë e delegatëve. Mirëpo, sfidat e grave për angazhim publik janë shumë më shumë se kaq. Dhe jo veç për gratë e angazhuara, por për shumicën e grave në Kosovë.
Prandaj, mendoj se gratë duhet të përkrahen nga njëra-tjetra por jo veç nga njëra-tjetra. Nga e gjithë shoqëria, burra dhe gra. Kjo është detyra e drejtësisë.
Discussion about this post