Këto ditë lexova një propozim të deputetes Valentina Bunjaku Rexhepi për një “projektligj për kompensimin e nxënësve të helmuar në vitin 1990”. Jo vetëm njëherë, por as edhe një milion herë po të më ofrohen 500 euro, unë si një nga ato viktima, nuk dua të shkelë e të abuzoj me buxhetin e Kosovës, që zonja deputete propozon të ndahet për ish të helmuarit.
Dështimi më i shpeshtë i individëve të cilët angazhohen dhe marrin përgjegjësi në politikëbërje dhe vendimmarrje institucionale, ndër të tjera është edhete mosnjohja e nocionit të shtetit, rolit të tij, shkaqeve apo arsyeve të ekzistencës dhe organizimit të tij.Pra, duhet një qasje intelektualendaj bazamentit të shtetit. Shteti është mekanizmi që mban pushtetin politik përgjegjës për sigurimin e mirëqenies kolektive, interesin e përgjithshëm.
Nga këndvështrimi i jashtëm, shtetin e definojnë tri gjera elementare: territori, që është zona gjeografike ku ushtrohen kompetencat e shtetit; popullsia, që është tërësia e njerëzve që jetojnë në territorin e shtetit dh janë nën autoritetin e tij dhe qeveria, që është një bashkësi e organizuar politike, fuqia e së cilës është efektive, domethënë, ka monopol të kufizimit dhe është sovran.
Në fakt, sovraniteti është atributi thelbësor i shtetit, madje është edhe kusht i qëndrueshmërisë së tij. Më thjesht, duhet ta kuptojmë se sovraniteti është një fuqi origjinale dhe supreme e bazuar në ligj. E Shteti nuk është vetëm shprehja e forcës. Duhet të rikujtojmë se fuqia në shtet është shprehja, vendosja e llojit të caktuar të marrëveshjeve, të cilat përmblidhen në rregulla të paracaktuara në kushtetutë. Vlen të theksojmë se këtyre rregullave, individët iu përmbahen, me apo pa ndërgjegje.
Roli i deputetit në parlamentin e një shteti
Të rikujtojmë se deputeti është një i zgjedhur për të marrë pjesë në punën legjislative dhe kontrollimin e qeverisë. Në punën legjislative, pjesëmarrja bëhet përmes paraqitjes së amendamenteve dhe propozimit të ligjeve; shqyrtim të teksteve në komision dhe seancë parlamentare; votim të ligjit. Ndërsa roli i një deputeti në kontrollimin e qeverisë, ka të bëjë me: pyetje për qeverinë; zhvillim të politikave publike dhe pjesëmarrjen e tij në votimin e mocionit ndaj qeverisë.
Propozimet e projektligjeve të deputetëve kosovarë, përmes rrjeteve sociale, të japin të kuptosh se këta individë, vështirë e kuptojnë nocionin e shtetit. Bazën e shtetit, në praktikë, realisht shumë deputetë e kanë kuptuar si “kuletë” e shtetit.
Konkretisht, këto ditë lexova një propozim të deputetes Valentina Bunjaku Rexhepi për një “projektligj për kompensimin e nxënësve të helmuar në vitin 1990”. Argumentet që ajo sjellë, bindshëm lënë të kuptohet se deputetja jonë “garon” me kolegë të saj se çfarë duhet të lypet nga buxheti i shtetit për të “luajtur” jo edhe pa qëllim me emocionet e një të kaluare të hidhur kolektive. Në rastin konkret, propozimi i saj më bind se fati kolektiv i një populli, nëpër të cilin ai ka kaluar, është një nocion i mjegullt, i nëpërkëmbur nga vet ne. Nuk arrijë të zbërthej e ta kuptoj ndryshe propozimin e këtij projektligji.
Dëmet e shkaktuara Kosovës nga shteti serb, janë një histori e tërë në vete. Kompensimet, dëmshpërblimet, njohjet, kërkim falja, borxhet etj, duhet t’ia kërkojë Kosova jo vetëm shtetit të Serbisë, por kjo kërkesë duhet të dorëzohet edhe në instancat më të larta ndërkombëtare. Shpresoj që në këtë drejtim do të punojnë deputetët që i kemi.
Rrëfim në vetën e parë
Jo vetëm njëherë, por as edhe një milion herë po të më ofrohen 500 euro, unë nuk dua të shkelë e të abuzoj me buxhetin e Kosovës, që zonja deputete V. B. R. propozon të ndahet për ish të helmuarit. Kosova nuk më ka borxh asnjë euro. Jam pjesë e fatit kolektiv të atyre 7421 viktimave të moshës prej 2 deri 66 vjeçare, shumica prej tyre nxënës. Duke pasur parasysh mosnjohjen e asaj periudhe nga vet ne, propozoj që deputetja jonë të kërkojë mjete financiare për ta përkthyer në gjuhën shqipe librin e Goran Wasenius, të botuar më 2009, në gjuhën suedeze, me titull “Den mystiska sjukdomen”, përmbledhje e një pune disa vjeçare ku “shqyrtohen lloji i helmit të gjetur, analizat tosikologjike, arsyet dhe konteksti historik i asaj kohe, reagimi i botës, propaganda serbe për gjoja psikozë histerie masive“ (Sh. Oseku).
Janë tre milionë e shtatëqind e dhjetëmijë e pesëqind euro, që me propozimin e këtij projektligji, eventualisht me miratimin e tij, do t’i keqpërdoreshin buxhetit të Kosovës. Unë me shokët e shoqet e mia nuk i duam nga 500 euro, pse i takojmë shtetit të Kosovës. Ne kërkojmë ligje të cilat respektojnë të drejtën tonë qytetare: të drejtën e punës (e jo të bredhë rrugëve), të drejtën e qasjes në shërbime shëndetësore, të drejtën e një strehe për banim, ku uji, ajri dhe buka nuk do të më mungojnë. Një projektligj të tillë çfarë ju e propozoni, është fyes për misionin që ka qeveria e shtetit tim.
Çka do të fitojë shteti im poqëse kjo shumë e të hollave shpërndahet për ambient? Sa do të fitojë shteti im poqëse me këtë shumë të hollash ndihmohen projektet e shokëve dhe shoqeve të mia në Kosovë, në zhvillimin e ekonomive të vogla familjare, me qëllime afatgjata në sektorë të llojllojshëm të prodhimtarisë?
Ky projektligj nuk duhet të hyjë kurrë në rend dite të seancave të Kuvendit, sepse cenon ndërgjegjen tonë qytetare. Bashkëqytetarët e mi, duhet t`i thonë JO këtij projektligji dhe shumë të tjerëve që varfërojnë arkën e shtetit tonë. Kosova duhet të ndërtojë shtetin mbi baza të forta e me një llogaridhënie për çdo “cent” që shpenzohet
Në fund, mund të them se unë dhe shokët e shoqet e mia, 7.421 herë deklarojmë se jemi kundër këtij projektligji dhe çdo projektligji tjetër që nuk përkon me nocionin e drejtë të shtetit.
Discussion about this post