Teologu shqiptar, Dr. Mustafa Bajrami që është i njohur me thirrjet e tij të vazhdueshme për ndryshime, sot ka dalë me një mesazh të fuqishëm për mobilimin e qytetarëve për ta mbështetur ndryshimin, përcjell Gazeta Mejdani.
Ai nëpërmes një shkrimi të tij ka vënë në spikamë momentin historik që po e pret Kosovën. Sipas tij, 14 shkurti është datë shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
“14 shkurti është një prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Zgjedhjet e 14 shkurtit janë krejtësisht tjetër nga të gjitha zgjedhjet e deritanishme. Janë zgjedhjet që e përcaktojnë një të ardhme të re”, ka shkruar Dr. Bajrami.
Përveç kësaj, Dr. Bajrami ka thënë se vendi e ka momentin historik që të orientohet ka e ardhmja dhe të rreshtohet me kombet e prosperuara që e kanë mund korrupsionin dhe kanë hapur horizonte të reja për të rinjtë e tyre.
E sipas tij, për tu realizuar e gjithë kjo, fillimisht nga nesër duhet të përvilemi dhe ta mbështesim thirrjen për ndryshime.
“Andaj, nga nesër të përvilemi e të punojmë pa ndërpre për të ardhmen tonë. Na priftë e mbara e Zoti na ndihmoftë”, ka thënë Dr. Bajrami.
Më poshtë gjeni shkrimin e tij të plotë:
Një gjë duhet ta dinë mirë qytetarët e Kosovës, sidomos diaspora.
14 shkurti është një prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Zgjedhjet e 14 shkurtit janë krejtësisht tjetër nga të gjitha zgjedhjet e deritanishme. Janë zgjedhjet që e përcaktojnë një të ardhme të re. Janë zgjedhjet që e ndajnë historinë tonë në dy epoka: E kaluara që thirrej (vetëm) në të kaluarën, dhe kjo tjetra që shikon drejtë përpara dhe hapë horizonte të reja për të ardhmen tonë. Është momenti historik ta drejtojmë shikimin kah e ardhmja. Pa e harruar të djeshmen me të gjitha të mirat dhe të këqijat që na solli.
Këto zgjedhje, mos thashtë Zoti janë ose kthim prapa, ose dashtë Zoti shpejtim kah përpara. Për tu rreshtuar me botën përparimtare, demokratike dhe me kombet e prosperuara. Me kombet që i kanë dhënë fund korrupsionit dhe kanë hapur shtigje të reja për të rinjtë e tyre.
Qytetarë të Kosovës!
Është në dorën tuaj të zgjidhni: Ose me të vjetrën që po e kundërshton ndryshimin dhe prosperitetin e pastaj të ikim të gjithë nga këtu, ose me të rejën që po jep shpresa se do ta mundë korrupsionin e të vazhdojmë jetën në vendin tonë. Dhe patjetër që tu krijojmë mundësi reale të kthehen edhe ata që deri më tani kanë ikur.
Andaj, nga nesër të përvilemi e të punojmë pa ndërpre për të ardhmen tonë.
Na priftë e mbara e Zoti na ndihmoftë…!