Nuk e shoh të nevojshme ta ritheksojë faktin se të pakta janë çështjet që nxisin debat e pasion në mesin e njerëzve sa ndeshja mes të vjetrës dhe të rejës, mes të vjetruarës që i ka skaduar afati dhe të rejës që e zëvendëson atë.
Shkruan: Mustafë Bajrami
Hyrë menjëherë në temë dhe shikuar në momentin e tanishëm, një pjesë jo e vogël e shoqërisë sonë është duke u preokupuar me atë që do ta përfshijë ndryshimi që po vjen. Ky preokupim vazhdon të shpërfaqet në forma të ndryshme dhe është bërë sfidë për shoqërinë tonë në përgjithësi.
S’ka dyshim se tema rreth ndryshimit është e pamatë, dhe rrokë fusha që shtrihen thuajse në të gjitha rrafshet e jetës shoqërore. Prandaj debati rreth tij tek njerëzit shpesh shkakton shpërthime vullkanike emocionesh e pasionesh dhe shfryrje që zor se qojnë në analizë intelektuale dhe objektive. Këtë po e vërejmë edhe më qartë sidomos tani kur kanë mbetur edhe pak ditë nga data e zgjedhjeve. Nga dita pas së cilës po shpresohet në ardhjen e ndryshimeve.
Debatin konstruktiv rreth ndërrimit të vjetrës me të rejën që po konsumon aq shumë energji, fare pak e ndihmon qasja e ngurtë e përshkuar nga pasione të ashpra të njerëzve që po i dalin në ballë ndryshimit. Diskutimin po e paralizon edhe më shumë ndjesia psikologjike e frikës së humbjes së peshës dhe pozicioneve të njerëzve që dëshirojnë ta mbajnë gjendjen ashtu siç ishte, e, nga ana tjetër, frika nga e reja (e panjohur) që po vjen. Kjo gjendje natyrisht se e pengon debatin dhe vlerësimet kritike të situatës.
Është anakronike t’i dilet në ballë dallgëve që sjellin ndryshime. Është përpjekje e dështuar që në start të luftohet ndryshimi të cilin e kërkon një shoqëri e tërë. Siç është alogjike të pretendohet se mund të ndalet ndryshimi të cilin e kërkon rinia dhe njerëzit e progresit. Sidomos kur rinia dhe njerëzit e progresit i besojnë fuqishëm dhe janë të lidhur fortë për liderin që punon për të sjellë ndryshime. Prandaj, në këto momente kaq të rëndësishme për kombin tonë dhe për shtetin e Kosovës, është mirë dhe e nevojshme t’i bashkëngjiten frymës së ndryshimeve edhe njerëzit të cilët deri më tani i kundërshtonin ato. Nuk është e domosdoshme të gjithë të veprojnë nën një pullaz, por është mëse e nevojshme që të gjithë t’i mbështesin ndryshimet.
Ngjitas me këtë dhe për tu lehtësuar puna edhe më shumë dhe për tu sqaruar situata edhe më mirë, unë mendoj se është i nevojshëm përkufizimi dhe renditja e rrafsheve që do t’i nënshtrohen ndryshimeve. Sepse, shikuar nga lartë, duket si e mahnitshme se sa ngjyrime e dritëhije dhe kuptimesh i janë dhënë termit “ndryshim”. Kjo fjalë e kjo nevojë akute për të ardhmen tonë, duhet shtjelluar me gjuhën e arsyes dhe shpjeguar edhe me gjuhën e njerëzve që e kuptojnë.
Për më tepër, mendoj unë, është në dobinë e shoqërisë tonë të lexohen mirë e pastaj të përfitohet nga përvojat e kombeve që i kanë kaluar periudhat e ngjashme si kjo e jona. Është në interesin tonë të konsultohen mirë e drejtë përvojat gjermane, japoneze, turke dhe hebreje. Por edhe të disa kombeve tjera. Sidomos segmentet që mund të reflektojnë pozitivisht mbi të sotmen dhe të nesërmen tonë.
Kështu, nga gjermanët mund të mësohet si ia arritën që për një kohë relativisht të njëjtë si kjo e jona që nga pas lufta, të shndërrohen nga shoqëri konsumuese dhe e shkatërruar deri në themel, në shoqëri prodhuese dhe konkurruese me botën. Nga japonezët ka çka të mësohet për faktin se i quan përpara paralel tradicionalen me modernen, dhe ruajtjen e burimores me gjithë zhvillimin gjigand industrial. Nga turqit mund të nxjerrët mësimi se ç’i gjeti ata dhe sa shtrenjtë e paguan çmimin e hedhjes së tradicionales matanë dhe fillimin thuajse nga zero. Ndërsa nga hebrenjtë, si arrtën ta ruajnë historinë e tyre për mijëra vjet, dhe në fund, duke përzgjedhur më të mirën dhe duke ruajtur miqësitë me kombet e fuqishme, arritën të bëjnë një shtet ndër më të fuqishmit në botë.