Pavarësisht humbjes së jetës së 1244 personave me COVID-19 nga 1 korriku, Ministria e Shëndetësisë e ka cilësuar të suksesshme punën e saj në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.
Zemaj në një konferencë të shtunën për punën gjashtëmuajshe të Qeverisë Hoti për menaxhim të pandemisë, thotë nuk i ka arritur të gjitha ato që i ka synuar, por deri diku i ka arritur me sukses.
“Nuk mund të them se kemi arritur të gjitha ato që kemi synuar. Por qëllimet tona janë arritur deri diku me sukses. Furnizimi me barna, punësimi i specialistëve shëndetësor, dhe kemi bërë zgjedhje që deri më sot nuk ishin arritur në shëndetësi. Kemi treguar shembull në menaxhimin e pandemisë. Gjatë këtyre muajve kemi arritur të shtojmë edhe numrin e shtretërve duke përmirësuar gjendjen e shëndetësisë në vend. Për këta muaj nuk kemi pasur orar pune, jo vetëm kabineti im, por e tërë shëndetësia. Jam krenar me qytetarët tanë, mjekët, infermierët e stafin spitalor”, ka thënë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Jemi përballur me tërë fuqitë tona me sukses me këtë pandemi duke dhënë shembull të menaxhimit me përkushtimin tonë të përbashkët”, ka thënë ai.
Nga 1 korriku, në Kosovë janë regjistruar shumë raste vdekjesh e raste të reja me COVID-19.
Më 1 korrik ishin në total 2991 raste pozitive me COVID-19, ndërsa sot në total janë 50 mijë e 135.
Kujtojmë se Zemaj është ministër që nga 4 qershori.