Policia e Kosovës ka arrestuar edhe dy persona tjerë të dyshuar në lidhje me rastin “Karaçeva”, për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Atëbotë kur ishin arrestuar të tjerët dhe disa policë, aty-këtu ishin akuzuar disa media se kinse kanë dezinformuar qytetarët e vendit me lajmet e shkruara për rastin “Karaçeva”.
Ishte ngritur pluhur sidomos me rastin e policëve të arrestuar.
Në fakt, e vërteta është se policët e arrestuar edhe sot e kësaj dite gjenden prapa grillave dhe janë të ngarkuar me aktakuza të ndryshme.
Tani, siç shkruan Indeksonline, burime të këtij mediumi brenda policisë kanë thënë se hetimet për rastin “Karaçeva” ende po vazhdojnë me intensitet dhe varësisht nga zhvillimet e tyre mund të ketë sërish të arrestuar.
“Lidhur me rastin, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe ata me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Njëri nga të dyshuarit gjendet në Qendren Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.
Aksioni i policisë, në Karaçevë, ishte zhvilluar në shtator të këtij viti ku ishin prangosur edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ishin rrënuar disa kazino.
Me kohë ishte raportuar ekskluzivisht për këtë aksion nga vendi i ngjarjes.