Vrasja pas shpine e 25-vjeçarit Klodian Rasha është padyshim një krim i rëndë e makabër. Ky krim për familjen e të ndjerit do të jetë një plagë që nuk do të mbyllet kurrë për gjithë jetën e tyre, ndërsa për shoqërinë një moment reagimi përtej emocioneve dhe ndjeshmërisë ditore.
Shkruan: Bujar Nishani
Eshtë e vërtetë se vrasje policore ndaj qytetarëve kanë ndodhur e ndodhin në vende të ndryshme të botës.
Po ashtu është i vërtetë parimi se përgjegjësia për një krim është individuale dhe jo në çdo rast, vrasja prej një polici është vrasje shtetërore.
Rasti i ekzekutimit të Klodianit është një rast i rëndë i një vrasje shtetërore.
Jo, pse ekzekutimi erdhi prej armës qeveritare, as pse mund të besohet që urdhërin për ekzekutim e ka lëshuar ministri i brendshëm !
Por ka fakte kokëforta dhe publike që ajo është një vrasje shtetërore.
Jo një, por disa.
Çka është thelbi i përkatësisë së këtij ekzekutimi, nuk është emocioni, mostrajnimi, frika, nxitimi, gabimi apo tjetër cilësi e pavullnetshme e një punonjësi rastësor policie. Jo !
Thelbi i analizës publike është motivimi i ekzekutorit.
Injektimi i motivimit tek ajo qënie e veshur me uniformë për të qenë i gatshëm edhe për të ekzekutuar qytetarin nëse nuk i bindet pushtetit politik.
Ky është prologu i analizës së këtij krimi makabër!
Motivimi i krijuar me investim të fortë politik e institucional!
Investimi politik që e ka pregatitur këtë polic të veprojë edhe për të ekzekutuar një qytetar në pragun e shtëpisë së vet.
Akti i parë me policinë, që kreu kjo qeveri sapo erdhi në pushtet ishte minimi i ligjit organik të policisë së Shtetit, pikërisht në aspektin e politizimit të saj .
Milionat e shpenzuara prej ekspertizës ndërkombëtare për hartimin e atij ligji e më tej për komportimin operacional, u hodhën në koshin e plehrave !
Gjithkush e kujton gjuhën tinzare që nisi të imponohej mbi trupën e Policisë së Shteti ; “çunat tanë”, “bravo çuna”, …. nuk ishin një zhargon batutash, por projektimi i gjenit të policisë së partisë në vend të Policisë së Shtetit.
Punonjësit e policisë me shërbim prej 20-30 vitesh në polici u margjinalizuan, u fyen, u tradhëtuan dhe shiteshin tek grupet kriminale.
Ish funksionarë të lartë të përjashtuar më parë nga policia për bashkëpunim me grupet kriminale më të rrezikshme të vendit, u rikthyen në postet komanduese e vendimarrëse të policisë.
Paralelisht, partnerët e tyre nga bota e krimit nisën të lirohen çuditërisht nga burgjet, megjithëse të dënuar përjetë kur këta policë të korruptuar u përjashtuan nga policia.
Qartësisht dukej një dorë që projektonte e lëvizte të gjithë këtë llum që gatuhej e hidhej mbi këtë shtet.
Dora e një pushteti absolut që nuk duronte e as pranonte pengesa e kundërshti ndaj modelit të tij.
Rekrutimet në polici gjatë 7 viteve të fundit janë bërë vetëm mbi një kriter!
Gatishmëria për të rrahur, dhunuar e vrarë këdo qytetar që do të guxojë të rrezikojë pushtetin.
Përzgjedhja politike është shoqëruar me një platformë të injektimit të ideologjisë së urrejtjes ndaj kujtdo që është kundër qeverisë .
Të gjithë e kujtojmë se si Policia u kap duke përdorur mjete ilegale të përgjimit të fshehtë.
Në vend të veprimit të ligjit, policia dhe ministri i kohës luanin komedi e talleshin me shtetin e qytetarët publikisht!
Morali që ushqente policinë ishte: antiligji, ilegalja, dhunimi!
Të gjithë pamë se si oficeri i policisë, Zagani u përndoq, burgos nga qeveria e madje rrezikoi ekzekutimin, për faktin se tentoi të godiste ortakërinë në trafikun e drogës midis pushtetit dhe krimit të organizuar.
Ndërsa garantuesit e paprekshmërisë së këtij bashkëpunimi promovoheshim si drejtorë policie, paçka se një ditë u arratisën e fshehën drejtësisë
Të ekzekutosh një djalë të ri, në pragun e shtëpisë së vet, pse e kaloi atë prag pas orës së mbrëmjes që i është tekur ta caktojë ashtu qeveria, duket si çmënduri !
Në fak gjithkush e mban mend mirë se si qeveria urdhëroi daljen në rrugët e kryeqytetit të tankeve e autoblindave me armatim të rëndë për të garantuar ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga pandemia.
Nuk ishte parë në asnjë vend të botës kjo sjellje qeveritare!
Mesazhi ishte për qytetarët.
Ata edhe mund të ekzekutohen nga armët nëse shkelin urdhërat e qeverisë!!!!!!
Të gjithë pamë me zë e figurë se si 5-6 policë i kërcyen sipër një fëmije të parritur mirë, pranë digës së liqenit, e rrihnin tek i thyenin me shkelma të vetmen pasuri e ndoshta pasion që kishte ai i ri, biçikletën!
Kryeministri i vetëm në periudhën post diktaturë në Shqipëri që në takime pune publike me policinë e shtetit, sulmonte, fyente e kërcënonte opozitën politike të vendit.
Pak më tej, urdhëronte policinë të hiqte kapelet pasditet e fushatës elektorale e të mblidhnin vota për qeverinë !
Egërsia e dhunës mbi artistët e ngujuar tek Teatri Kombëtar, rrahja brutale pa ditur pse, e gazetarëve dhe studentëve universitarë që adhuronin teatrin dhe trashëgiminë kulturore, konfirmoi se gjeni i ri i policisë që motivohet nga urrejtja ishte formësuar.
Kushdo që përpiqet të gjej arsyetime relativizuese nga ekzekutimit makabër i një të riu në pragun e shtëpisë së tij, me plumba pas shpine, tenton më kot !
Sot, është më e qartë se kurrë për çdo shqiptar, kudo në çdo cep të botës që ndodhet.
Problemi është helmi i urrejtjes që është injektuar nga pushteti tek resursi policor i rekrutuar në 7 vitet e fundit.
Urrejtja ndaj qytetarëve, urrejtja ndaj studentëve, urrejtja ndaj artistëve, urrejtja ndaj opozitës, urrejtja ndaj hallexhinjve, urrejtja ndaj gjithkujt që duhet t’i nënshtrohet frikës ndaj dhunuesit që vjedh e grabit çdo ditë e që nuk do shqetësim në këtë llum ku është zhytur.
Kjo urrejtje djallëzisht e projektuar në gjenin e një policie që edhe të vret po ti kthesh shpinën qeverisë!
Krimi makabër i 8 dhjetorit 2020, i ka vulosur një imazh qeverisjes aktuale. Vrasëse!
Ikja me turp e ministrit të brendshëm, është veçse kurbani i rradhës për të fshehur infeksionin masiv që kjo qeveri i ka shkaktuar një shoqërie të tërë.
Por edhe ajo vetë e di mirë se zgjidhja nuk vjen me kurbane pa vlerë!
E keqja reale njihet nga kushdo se ku është!
Ajo duhet shkulur me rrënjë dhe rrënja është e thellë, me oligarkë, me gjobvënës, me zhvatës, me vrasës e trafikantë.
Ky ekzekutim, familjes Rasha i ka hapur një plagë përjetë.
Shoqëria e tërë duket e tronditur dhe reaguese.
Epilogu i këtij ekzekutimi është larg.
Drejtësia është më e para.
Por skenografia e epilogut ka nisur të duket.
Ka mbërritur momenti i bumerangut!
Frika e shpërfillur po derdh urrejtjen që nuk mbaron shpejt.