Tre të huaj të sjellë nga jashtë për të punuar në një laborator të ndërtuar posaçërisht për të prodhuar metamfetamina, një lëndë e njohur narkotike. Nuk është një komploti i serialit televiziv “Breaking Bad”, por ajo që ndodh realisht në Korenë e Veriut.
Shkruan: Lorenzo Lamperti
Të paktën sipas dëshmisë që jep Kim Kuk-song, një dezertor i profilit të lartë, që zbuloi në një intervistë për BBC sekretet e karrierës së tij në shërbim të agjencive sekrete të Phenianit.
Ai paraqiti në të tablonë e një vendi të dëshpëruar për fonde në valutë të huaj, dhe që ështëgati të bëjë gjithçka për t’i siguruar ato:prodhimin dhe trafikimin e drogës, shitjen e armëve tek regjimet që përballen me luftëra civile,apo protestat e opozitës dhe qytetarëve.
Fonde që më pas nuk ndahen për njerëzit e thjeshtë, pavarësisht nga gjendja “e mjeruar” e ekonomisë së vendit komunist, e pranuar së fundit nga vetë Kim Jong-un gjatë 76 vjetorit të themelimit të Partisë së Punëtorëve. “Ato para i përkasin udhëheqësit, i cili blen vila, makina luksoze, ushqim dhe veshje”- thotë Kim, një nga 30.000 dezertorët më të shquar që jetojnë aktualisht në Korenë e Jugut.
Ai mbërriti në Seul në vitin 2014 për të punuar me shërbimet sekrete koreano-jugore, pasi kishte kaluar 30 vjet në agjencitë e spiunazhit në veri, që përfaqësojnë “sytë, veshët dhe trurin e udhëheqësit suprem”. Por as ai, që e përshkruante veten si “më komunisti ndër komunistët “ nuk është ndier i sigurt nga spastrimet e Kim, pas ngjitjes së këtij të fundit në pushtet në vitin 2011.
Para atij momenti, Kim Kuk-song kishte punuar për babanë e udhëheqësit aktual. Gjatë urisë së madhe të viteve 1990, që Pheniani e përkufizoi si një “marshim të vështirë”, Partia Komuniste e rriti prodhimin e drogës. Tashmë e famshme për heroinën dhe opiumin, Koreja e Veriut nisi tregtimin e metamfetaminave.
“Në këtë mënyrë ne ishim në gjendje që të grumbullonim dollarët”, pra ato që zyrtarisht u etiketuan si “fonde revolucionare” që i dorëzoheshin Kim Jong-il. Sipas dezertorit, një burim tjetër i rëndësishëm i të ardhurave, është shitja e armëve, përfshirë “nëndetëset e vogla dhe gjysmë nëndetëset”, veçanërisht ndaj Iranit.
Aq sa sipas Kim, përfaqësuesi i Koresë së Veriut në Teheran, i thirri iranianët në pishinën e tij për të mbyllur marrëveshjen. Por Pheniani i ka shitur gjithashtu armë Libisë, Sirisë, Sudanit dhe Mianmarit. Përveç trafikut të drogës dhe armëve, regjimi ka arritur të ndërtojë një rrjet të sofistikuar spiunësh që janë “të pranishëm në Kinë, Rusi dhe Azinë Juglindore”.
Në zemër të këtij rrjeti në vitin 2009 ishte Byroja e Përgjithshme e Zbulimit e krijuar enkas si “task forcë terroriste” për të vrarë dezertorin Hwang Jang-pop.
Plani dështoi, por sipas të intervistuarit nga BBC, ai atentat tregon se “terrorizmi është një mjet politik, që mbron dinjitetin e dinastisë Kim”, dhe se vrasjet e “tradhtarëve janë një dhuratë për të treguar besnikërinë ndaj pasardhësit”.
Spiunët e Phenianit kanë qenë në gjendje të depërtojnë në institucionet e nivelit më të lartë të Koresë së Jugut. Kim thotë se ai arriti të infiltrojë një agjent në pallatin presidencial në Seul. “Pasi punoi 5-6 vjet për Shtëpinë Blu, ai u rikthye në veri i sigurt”- tregon ai.
Vitet e fundit, numri i spiunëve të Koresë së Veriut të arrestuar në pjesën jugore të gadishullit ka rënë ndjeshëm, edhe sepse Pheniani ka zhvilluar metoda spiunazhi më të përparuara në aspektin teknologjik, duke përdorur një ushtri kibernetike të përbërë nga mbi 6 mijë hakera. Një projekt që filloi që në vitet 1980, kursi pas Kim, udhëheqësi i atëhershëm dha urdhrin për t’u “përgatitur për luftën kibernetike”. Dhe kjo sepse udhëzuesi suprem është gjithmonë në qendër të gjithçkaje që ndodh.“Në Korenë e Veriut, as edhe një rrugë nuk mund të ndërtohet pa miratimin e tij”-thotë dezertori.
Kohët e fundit, Pheniani është shprehur i hapur ndaj mundësisë së rifillimit të dialogut me Korenë e Jugut, por Kim paralajmëron:”Koreja e Veriut është ende e njëjta, ajo nuk ka ndryshuar as 0.01 për qind”. Aq sa prillin e vitit të kaluar udhëheqësi i saj i kërkoi popullsisë të përgatitej për një tjetër “marshim të mundimshëm”. / La Stampa – Bota.al