Duke folur për konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë mbi Malësinë e Karabakut, që rezultoi me fitoren e Azerbajxhanit, Erdoğan tha se “Me Fitoren e Karabakut është hapur një faqe e re në historinë e Kaukazit. Besoj se historia e rajonit do të formohet në një drejtim të ri”.
Presidenti turk mbështetjen e Francës dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, për Armeninë, e cilësoi si mungesë e përvojës politike. “Aliyev me qëndrimin e tij ia prishi planet Macronit. Macron ndoshta do t’u japë fund marrëdhënieve Azerbajxhan-Francë”, u shpreh ai.
Erdoğan komentoi edhe rreth iniciativës për platformën e gjashtëshes në rajon, të cilën e cilësoi si një mundësi fito-fito për të gjithë. “Në rast se Armenia merr pjesë në këtë proces dhe hedh hapa pozitivë, mund të hapet një faqe e re në marrëdhëniet Turqi-Armeni”, theksoi presidenti turk.
Presidenti Erdoğan qëndroi për një vizitë dyditore më 9-10 dhjetor në Azerbajxhan me ftesë të homologut të tij azerbajxhanas. Gjatë ditës së djeshme, ai së bashku me presidentin azerbajxhanas morën pjesë në ceremoninë “Parada e Fitores”, ku dhe mbajtën fjalim para të pranishmëve.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.
Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.
Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi nga pushtimi armen disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra.
Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për t’u angazhuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.
Armëpushimi u konsiderua si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.