Gazetari Visar Duriqi ka thënë se kampanja “Liria ka emër” është kampanjë e privatizuar nga Partia Demokratike e Kosovës për të marrë vota në zgjedhjet e ardhshme.
Duriqi, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se edhe djegia e banerit “Liria ka emër” në Graçanicë ka qenë e pritshme.
“Kjo kampanjë është e PDK-së për të marrë vota dhe jo e UÇK-së, nuk ka të bëjë asgjë me këtë të fundit”.
“E kam përcjell prej dy ditë më herët kur kanë filluar reagimet e tyre dhe ka qenë e pritshme djegia e banerit, pasi që në Graçanicë nuk është i mikpritur një baner më logo të UÇK-së”.
“Ata që kanë vendosur këtë baner do duhej ta dinin që nuk është njësoj me vendos një baner të tillë si në Skenderaj si në Graçanicë”, deklaroi Duriqi.
Teksa fliste për privatizimin e kampanjës, Duriqi dha edhe një propozim për ndryshim të emrit.
“‘Liria ka emër PDK’ ose ‘Liria ka emër tender’ do duhej të ishte emri, pasi kjo nuk është kampanjë aspak për UÇK-në”.
“Edhe kompania që po e bën këtë fushatë e ka bërë fushatën e PDK-së në zgjedhje. Sot e kemi parë edhe deputeten Eliza Hoxha duke u marrë me këtë kampanjë”.
“Në kohën kur njerëzit janë marrë me vlerat e UÇK-së, këta që sot merren me kampanjën “Liria ka emër” edhe UÇK-në ishin të zënë duke keqpërdorur tenderë”.
“Askush si PDK-ja nuk e ka keqpërdorë UÇK-në dhe pikërisht për këtë janë duke e privatizuar këtë kampanjë”.
Duriqi, mes tjerash, deklaroi se kjo kampanjë ka kaluar në biznes dhe asgjë nuk u ndihmon të akuzuarve në Hagë.
“Kjo fushatë ka kaluar në biznes, pasi që ka përfitime në shitje të dukseve dhe gjërave tjera”.
“Asgjë nuk iu ndihmon, kjo është fushatë vetëm që e ndihmon PDK-në dhe kjo është fushatë parazgjedhore e PDK-së për të mbledhur vota në zgjedhjet e ardhshme”.
“Atyre në Hagë nuk iu ndihmon asnjë, por pjesëtarëve të PDK-së që kanë mbetur këtu iu ndihmon shumë për vota”, deklaroi Duriqi./KK/