Që nga 5 nëntori, krerët e shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, gjenden në Hagë të akuzuar nga Specialja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata Speciale në aktakuzat e tyre i quan “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, gjë që u prit keq nga populli i Kosovës dhe pati reagime të shumta, përfshirë edhe të akuzuarit atje.
Mirëpo në pikën e 35 të aktakuzës nga Specialja, thuhet se në këtë “ndërmarrje”, ishin edhe Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI.
Të gjithë këta, ndonëse nuk ka konfirmim të aktakuzës, sipas kësaj pike, edhe këta do të ftohen nga Specialja.
Emri i tyre në aktakuzë është publik dhe cilësohen si bashkëpunëtor të të akuzuarve që tashmë janë në Speciale.
Pika 35. “Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇKsë dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thuhet në pikën e 35 të aktakuzës nga Gjykata Speciale./B.S./