Bardhyl Mahmuti, politologu i njohur shqiptar, edhe kësaj radhe si çdo herë më parë ishte vigjilent në detaje ndaj fjalëve të klasës politike kosovare.
Kështu, zëdhënësi politik i dikurshëm i UÇK-së, aktualisht kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti ka reaguar ndaj fjalimit të Enver Hoxhajt (të publikuar në “Facebook), i cili këto ditë mori detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe i cili, sipas Mahmutit, në këtë fjalim, Hoxhaj ka hequr nga diskursi partiak kualifikimin “gjenocid” të krimeve që ka bërë shteti serb ndaj shqiptarëve duke e zbritur gjenocidin në nivel masakrash dhe krim kundër njerëzimit.
“Përshëndetje Enver. Më habit qëndrimi jot injorues ndaj realitetit tragjik në Kosovë. Në reagimin tënd të publikuar në ‘Facebook’ dhe të titulluar ‘Kosova sërish ndodhet para një sfide të madhe. Partia Demokratike e Kosovës ndodhet para një sfide të rëndë’ ti deklaron se: ‘Dy udhëheqësit emblematikë të luftës së UÇK-së po përballen me sfidën më të panevojshme e absurde të ngritjes së aktakuzës kundër tyre!’ dhe vazhdon me konstatimin se: ‘Në rrugën e saj të gjatë e plot sakrifica Kosova bëri një luftë të drejtë kundër një pushtuesi i cili kreu masakra dhe krim kundër njerëzimit dhe për të cilën gjë u alarmua bota e qytetëruar dhe përkrahu luftën tonë të drejtë!’. Nuk ka absurd më të madh se vetëm një ditë pasi që të është besuar detyra e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë, të rivlerësosh të kaluarën tragjike të Kosovës dhe të heqësh nga diskursi partiak kualifikimin ‘gjenocid’ të krimeve që ka bërë shteti serb ndaj shqiptarëve dhe ta zbresësh gjenocidin në nivel masakrash dhe krim kundër njerëzimit!”, ka shkruar Bardhyl Mahmuti, duke theksuar se bashkëpartiakë të tij mijëra herë kanë përdorur terminologjinë e saktë: Gjenocid.
“Nëse ke nevojë do t’i citoj me mijëra herë kur Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, si figurat emblematike të luftës së UÇK-së dhe themelues të PDK-së përdorin terminologjinë e saktë: GJENOCID sa herë që i referohen asaj që ka bërë Serbia në Kosovë. Nëse ke nevojë do të citoj iniciativën e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015, për të miratuar një rezolutë që përkufizon qartë se ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid! Nëse ke nevojë do ta rikujtoj faktin se më 16 maj 2019 Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën nëpërmjet të cilës krimet që kanë ndodhur në Kosovë cilësohen GJENOCID! Nëse asgjë tjetër, si ushtrues i detyrës së kryetarit të partisë e ke për obligim që të respektosh qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe të institucioneve të Kosovës. Mbetem me shpresë se në të ardhmen do të harmonizosh qëndrimet e tua me qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe do të përdorësh terminologjinë e saktë për gjenocidin në Kosovë. Me respekt, Bardhyli”, ka shkruar Politologu Bardhyl Mahmuti.
Enver Hoxhaj gjatë adresimit të tij të parë për media si ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, ka mbajtur një konferencë për media, ndërkaq fjalimin e tij e ka publikuar edhe në profilin e vet në “Facebook”.