Ka përfunduar çështja civile në rastin ku aktualisht zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Muhamet Kelmendi, po kërkon 500 mijë euro dëmshpërblim, për rastin e arrestimit të tij, që kishte ndodhur në qershor të vitit 2015, në Mitrovicë.
Me pretendimet se ky arrestim ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, ai ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka paditur Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Policinë e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në padi thuhet se derisa ishte nisur për të marr pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, ai ishte arrestuar në hyrje të Mitrovicës, nga Njësiti Antiterror i Policisë së Kosovës, me arsyetimin se po planifikonte sulm terrorist në veri të Mitrovicës.
Lidhur me padinë e tij, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare nga përfaqësuesi i paditësit, avokati Hamdi Podvorica, pasi ka munguar përfaqësuesi i palës së paditur, që sipas gjykatës, mungesën nuk e ka arsyetuar.
Avokati Podvorica, fillimisht i ka propozuar gjykatës që të vendos lidhur me parashtresën e datës 13 janar 2017, me të cilën kishte kërkuar zgjerimin e padisë, ku tani si paditës do të jenë edhe Arbënesh, Gentijana, Drinas dhe Qëndresa Kelmendi.
Gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, ka marr aktvendim me të cilin është lejuar zgjerimi i padisë, sipas kërkesës së përfaqësuesit të paditësit.
Ne seancën e së martës, ka prezantuar edhe eksperti i psikiatrisë, Muhamet Karamena, i cili ka dhënë sqarime rreth përpilimit të ekspertizës, pasi që përfaqësuesi i paditësit kishte kërkuar një gjë të tillë.
Eksperti Karamena, ka thënë se në ekspertizë ka bërë përshkrimin e dhimbjeve shpirtërore posaçërisht të intensiteti të lartë si dhe dhimbjeve shpirtërore të intensitetit të lartë për paditësit Muhamet Kelmendi, Arbënesh, Gentijana, Drinas dhe Qëndresa Kelmendi.
Ai ka thënë se paditësit kishin përjetuar dhimbje shpirtërore të intensiteti posaçërisht të lartë, të cilat sipas tij, zgjasin 24 orë, si dhe dhimbje shpirtërore të intensiteti të lartë, të cilat siç ka thënë ai, lidhen me cenimin e autoritetit dhe nderit të paditësve.
Ndërsa, fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësve, avokati Podvorica e ka dorëzuar me shkrim.
Pas administrimit të provave dhe pas dorëzimit me shkrim të fjalës përfundimtare të përfaqësuesit të paditësve, gjykatësi Tërshnjaku ka njoftuar se kjo çështje civilo-juridike ka përfunduar dhe se palët me kohë do të njoftohen lidhur me vendimin.
Ndërsa, në seancën e së martës nuk ishte prezent pala e paditur, të cilët sipas gjykatësit Tërshnjaku, ishin ftuar në mënyrë të rregullt edhe në seancën e mbajtur me 19 prill 2019, si dhe në seancën e së martës, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 18 qershor 2015, paditësi Muhamet Kelmendi, kërkon nga e paditura Republika e Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, kompensim për dëmin moral, që thotë se i është shkaktuar me rastin e arrestimit.
Sipas padisë, i padituri Muhamet Kelmendi, më 10 qershor 2015, në hyrje të Mitrovicës, derisa ishte nisur për të marr pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, nga Njësiti Antiterror i Policisë së Kosovës ishte arrestuar në mënyrë të kundërligjshme me pretekst të dyshimit se po planifikonte sulm terrorist në veri të Mitrovicës.
Në padi thuhet se Muhamet Kelmendi, është një personalitet i shquar në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë, është anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një nga themeluesit e UÇK-së, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, është dekan i Fakultetit Juridik të kolegjit AAB në Prishtinë, punëtor shkencor dhe ushtron funksione tjera të rëndësishme në jetën politike dhe shtetërore të Kosovës.
Sipas padisë, sipas nenit 13 të Ligjit për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Republika e Kosovës është përgjegjëse për dëmin që organi i administratës shtetërore e shkakton me punën e tij të paligjshme.
Gjithnjë sipas padisë, Njësiti Antiterror i Policisë së Kosovës e ka arrestuar paditësin në kundërshtim me dispozitat e nenit 17.4 Ligjit të Policisë së Kosovës, sepse nuk e ka trajtuar me dinjitet dhe nuk e ka thirr paditësin për intervistë, por e ka arrestuar pa paralajmërim duke i drejtuar armët në drejtim të tij.
Në padi thuhet se qëllimi i arrestimit në mënyrë të kundërligjshme dhe ngarkimi me dyshimin e planifikimit të kryerjes të terrorizmit në veri të Mitrovicës në mënyrë të rrejshme, paraqet dëmtimin e integriteti moral të paditësit.
Discussion about this post