Kosova dhe Shqipëria viteve të fundit kanë nënshkruar marrëveshje të shumta, por është evidente se ende nuk janë larguar barrierat tregtare ndërmjet dy vendeve. Gjatë këtij viti, bilanci tregtar ndërmjet të të dyja vendeve është mbi 100 milionë euro, transmeton Gazeta Mejdani.
Në periudhën janar-korrik të këtij viti, kompanitë kosovare eksportuan në Shqipëri produkte në vlerë prej mbi 37 milionë eurosh, derisa ato të Shqipërisë në Kosovë sollën prodhime në vlerë prej më shumë se 129 milionë euro.
Këshilltari politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Durim Limaj, në një përgjigjeje për Radio Kosovën thotë se në kohën e fundit është bërë progres në eliminimin e barrierave tregtare ndërmjet të të dyja vendeve, e MTI është duke u angazhuar në eliminimin e barrierave ekzistuese dhe shumë shpejt do të ketë zgjidhje për shqetësimet të cilat i ka komuniteti i biznesit.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se vazhdimisht ka pasur tentime që për disa produkte të Kosovës, të pengohet eksporti i tyre në Shqipëri.
“Misioni jonë është i përbashkët që vendet shqipfolëse të kenë mundësi të shkëmbimeve pa barriera. Pavarësisht të gjitha problemeve, vitin e kaluar shkëmbimi tregtar ndërmjet të të dyja vendeve ka qenë rreth 250 milionë euro. Të dy qeveritë po fillojnë dalëngadalë që të kuptojnë se bizneset janë aset që duhet ruajtur, kultivuar, mbështetur dhe jo të pengohen”, tha Shahini.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se vazhdimisht kanë probleme tarifore me eksport në Shqipëri.
“Për neve është më e rëndësishme që të gjitha këto barriera të eliminohen me Shqipërinë, kur dihet se ka edhe synime politike që të kemi një treg sa më të unifikuar, të kemi sa më shumë mundësi bashkëpunimi të bizneseve të këtyre dy vendeve. Kjo deri tash nuk është e mundshme, dhe kur marrëveshjet fillojnë të implementohen, ka një pompozitet për to, por në rrugë të implementimit na dalin edhe shumë problem të tjera”, tha Rukiqi.
Se a parashihen taksa ndaj Shqipërisë nëse nuk i largon barrierat ndaj produkteve kosovare, zyrtarë të MTI theksojnë se taksa është mjeti i fundit që do të duhej të përdorej. Sipas tyre, janë duke u konsumuar të gjitha format e dialogut bilateral, në të kundërtën do të shqyrtohet trajtimi reciprok.
E këtë e mbështet edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
“Kosova duhet ta heqë nga mendja vënien e taksave ndaj çdo shteti e aq më pak të mendojë për Shqipërinë për vënien e taksave, por duhet të mendohet se nëse shterët dialogu për t’i hequr barrierat, atëherë duhet të merren masat e reciprocitetit ndaj secili shtet në kushte të barabarta”, tha ai.
Shahini thotë se janë rreth 600 kompani aktive nga Shqipëria që importojnë në Kosovë, ndërsa janë një numër simbolik i kompanive nga Kosova që operojmë në Shqipëri, kryesisht për shkaqe të burokratike dhe ngarkesave të ndryshme tatimore.
Discussion about this post