Emisari amerikan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, do të angazhohet edhe për normalizim të raporteve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi raportet ekonomike mes dy palëve të jenë normalizuar.
“Fillimisht do të krijohen kushtet për progres në ekonomi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, më pas do të merret edhe me çështjet politike. Unë i thashë Presidentit (të Serbisë) Aleksandar Vuçiq, na beso dhe na jep një shans, sepse kemi një qasje të ndryshme nga ata që merren me këto çështje për 30 vjet dhe ata nuk mund t’i zgjidhin ato”, tha Grenell, shkruan Kosovo Online.
Grenell tha se përmes marrëveshjes së Uashingtonit dhe hapjes së zyrës së Korporatës Financiare të Zhvillimit Amerikan në Beograd, Uashingtoni shtriu një dorë jo vetëm për aktorët politikë, por edhe për sektorin privat serb, i cili mund të ndihmojë në ndërtimin e marrëdhënieve më të forta midis Serbisë dhe Amerika në të ardhmen.
Më herët Grenell kishte thënë se Amerika do të merret vetëm me problemet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se Bashkimi Evropian do të merret me pjesën politike.