Ndonëse e kisha bërë plan të shkruaj për këtë çështje, tani mora shkas edhe nga disa reagime ndaj historianit, anëtar i ASHAK-ut, punonjës shkencor i Institutit të Historisë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës (nga LDK), z. Frashër Demaj, si bashkautor i disa librave të shkruara diku në Greqi e të financuara nga BE-ja për një “histori alternative” për popujt e Ballkanit.
Shkruan: Melihate Tërmkolli
Edhe pse historia do fakte, si edhe çdo gjë tjetër, autorët i kanë hyrë një historie “alternative” në mënyrë që të rinjtë të mos “indoktrinohen” nga faktet historike. Por, ajo që thuhet e shkruhet aty disi të amnistojë të vërtetat historike, të dhëna, të thëna, të shkruara e të konfirmuara botërisht jo veç ndër ne.
Në këta libra në të cilët autor nga Kosova është historiani Frashër Demaj, historia e Kosovës dhe e shqiptarëve, thënë shkurt – masakrohet. Librat e tillë, ndonëse u ofrohen nxënësve si histori “alternative”, kjo në asnjë rast nuk e zbehë rëndësinë dhe nuk e amniston as autorin e autorët, as projektuesit e përkrahësit e tyre.
Poshtërimi që i bëhet shtetit të Kosovës, shqiptarëve si popull dhe historisë sonë, edhe kësaj më të resë, meriton shumë më shumë se një reagim apo opinion të ndonjë lexuesi të rastësishëm apo të qëllimshëm. Në këtë rast është i domosdoshëm një shqyrtim serioz deri në marrje të vendimeve nga institucionet publike e shtetërore për dëmet që janë bërë, rikuperimin e tyre e padyshim edhe për autorin dhe autorët e tij. Pra, kjo çështje meriton trajtim urgjent institucional në kuptim të ndaljes së këtyre librave duke ofruar fakte të bollshme historike për secilën fazë të paraqitur aty, të projektuara e të shkruara me gënjeshtra dhe nën çdo nivel të dinjitetit shkencor e historik.
As serbët vetë nuk do të kishin ditur të shkruajnë më errët historinë tonë, qoftë duke heshtur ngjarje e fakte të rëndësishme ose duke e shtrembëruar të vërtetën e shqiptarëve për liri e pavarësi nga okupatori serb dhe përtej, përfshirë luftërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe të tjera. Edhe një nxënës i shkollës fillore ose një qytetar i rëndomtë do të dinte të shkruante më saktë këtë histori. Pra, historia jonë, në këta libra fshihet, nuk shkruhet shumëçka esenciale ose edhe ajo që shkruhet, po në çështjet më esenciale është e shtrembëruar, e pavërtetë deri në marrëzi. Poshtërimi i pothuaj gjithçkaje shqiptare, përfshirë edhe gruan shqiptare në këta libra, është shpërfaqja më e shëmtuar dhe kriminale e degradimit tonë si politikë, si shkencë e arsim dhe si shoqëri.
Kush reagoi për këto libra?!
Historiani, autori i librave, përgjegjës për të dhënat për Kosovën, Frashër Demaj, bën strucin! Edhe pak. Ai duhet ta thotë çfarë është krejt kjo ose të detyrohet ta thotë! ASHAK, përmes kryetarit të saj z. Mehmet Kraja, bëri një reagim aq të flashkët sa duke iu drejtuar F. Demajt me referencën e Ponc Pilatit, në fakt ai vetë bën Ponc Pilatin, madje stërpikë gjithandej me ujin e legenit në të cilin ka larë duart! Instituti i Historisë, qele gurë gojën! MASHT-it, asnjë fjalë nuk i shpëtoi nga goja! Nuk e kam të çartë, krejt kjo çka ka të bëjë me LDK-në, ani pse z. Demaj është deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK, përderisa projekti për librat në fjalë nuk është i LDK-së dhe as i Kuvendit të Kosovës! Është çështje thjesht profesionale, por nëse doni për të kënaqur shfaqjet euforike të ndokujt, mund të thuhet edhe, asnjë fjalë as nga LDK!
Ku janë, pse heshtin institucionet arsimore, shkencore e institucionet relevante shtetërore! Ato libra duhet të shqyrtohen nga këto institucione dhe të merret vendim për to, së paku të ndalen, jo veç për nxënësit e Kosovës e të Shqipërisë, por të gjendet mënyrë për të përfshirë në to të vërtetat historike të Kosovës dhe të shqiptarëve sepse librat e botuar si të tillë do të jenë material për nxënësit e 11 shteteve, në aq gjuhë sa botohen ato.
(P.S. Duhet të jemi “krah” i shtetit e popullit tonë, i të vërtetës e historisë sonë të argumentuar fuqishëm me fakte. Përndryshe, trajtimi i kësaj çështjeje në kontekstin “krah i luftës” a “krah i paqes” , e dëmton rëndë qëllimin e reagimit dhe dashur padashur hyn në ujëra të një shtrembërimi tjetër të historisë sonë!)