Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Kosova dhe Serbia kanë shprehur përkushtimin të normalizojnë raportet ekonomike, ka thënë Trump, raporton Reuters.
Trump tha se kjo është “një ditë shumë e rëndësishme dhe historike”.
Ai shtoi se edhe pas historisë së dhunës dhe negociatave të dështuara, administrata e tij ka bërë një “përparim të madh” në dialog dhe se “askush nuk ka menduar se kjo do të ishte e mundur”.
Trump, gjithashtu, tha se ai shpreson se “do të shkojë në të dyja vendet në një të ardhme jo aq të largët” dhe se ai është “krenar për dy udhëheqësit”.
Presidenti Trump e përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur “përparim të madh” për bashkëpunimin ekonomik.
Edhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brian, ka thënë se derisa marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë kultivohen, do të ketë edhe zgjidhje politike, gjithashtu.