Doli në shitje libri “Karakteristikat e NVM-ve në Kosovë”, nga autori Lulzim Beqiri
Libri me titull “Karakteristikat e NVM-ve në Kosovë, mjedisi biznesor për NVM-të” është studim origjinal dhe me interes të veçantë në procesin e zhvillimit të NVM-ve dhe mjedisin biznesor të tyre në Republikën e Kosovës.
Libri, që do të keni në dorë, ofron analiza të detajuara për gjendjen aktuale të NVM-ve, regjistrimin dhe shuarjen e tyre, mjedisin biznesor, sfidat, mundësitë dhe perspektivat, MSA-në, CEFTA-në, Aktin Evropian për NVM-të etj.
Bizneset e vogla dhe të mesme janë faktor kyç i krijimit të shpirtit sipërmarrës dhe inovacioneve, duke bërë kështu një element të rëndësishëm të konkurrencës dhe të zhvillimit ekonomik lokal, pasi që në Kosovë 98% e bizneseve të regjistruara janë biznese të kategorisë NVM dhe punësojnë rreth 62% të forcës punëtore në nivel vendi.
Libri në vete analizon sfidën e ndërmarrësve kosovarë për të bërë biznes dhe si i tillë ofron një përmbledhje me statistika kredibile nga institucionet relevante siç janë: Agjencia e Statistikave të Kosovës, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Republikës së Kosovës, ministritë përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatat vendore e ndërkombëtare.
Ky studim përbëhet nga katër pjesë:
Pjesa e parë – Në kuadër të saj diskutohet për përkufizimin teorik të NVM-ve, kategorizimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës dhe direktivave të Bashkimit Evropian, kornizën ligjore për NVM-të, format ligjore të organizimit të bizneseve, klasifikimi i shoqërive tregtare sipas KKRF-së, konteksti zhvillimor, sfidat dhe mundësitë, ecuria e ndërmarrësisë në Republikën e Kosovës, trendët e zhvillimit të NVM-ve, struktura e NVM-ve, pastaj NVM-të dhe punësimi në Kosovë, numri i bizneseve sipas regjioneve, raportimi financiar për NVM-të, ligji për zonat ekonomike, rendësin që BE-ja ju kushton NVM-ve, java evropiane e NVM-ve etj.
Pjesa edytë – Në të diskutohet për Bruto Produktin Vendor dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, kontributin e NVM-ve në BPV, pastaj indikatorët kryesorë makroekonomikë etj.
Pjesa etretë – Bën fjalë për mjedisin biznesor, sfidat dhe perspektivat e NVM-ve, pastaj të bërit biznes në Kosovë sipas raporteve të Bankës Botërore (BB), rolin e politikave fiskale në Kosovë dhe rëndësinë e tyre për zhvillimit ekonomik të NVM-ve, tatimet që zbatohen në Kosovë, financimin e NVM-ve, format e financimit, burimet e financimit të NVM-ve, gjithashtu diskutohet edhe për sektorin bankar në Kosovë dhe NVM-të, normat e interesit, për integrimet evropiane, marrëveshjen e CEFTA-s, tregtinë me vendet e BE-së, eksportet dhe importet me vendet e rajonit e më gjerë, barrierat e NVM-ve, energjinë elektrike, kamatat, infrastrukturën ligjore, rrugore, barrierat që hasen me rastin e fillimit të një biznesi të ri etj.
Pjesa e katërt – Fokusohet te hulumtimi empirik që ka të bëjë me politikat fiskale në Kosovë, ku janë anketuar gjithsej 110 afaristë, pastaj hulumtimi i tjetër që ka të bëjë me barrierat dhe pengesat me të cilat përballen afaristët e që i përkasin kategorisë së NVM-ve në përditshmërinë e tyre. Sa i përket hulumtimit të dytë janë anketuar 250 zyrtarë të bizneseve në regjione të ndryshme në Kosovë.
Libri ofron informata për financimin e
NVM-ve, sfidat me të cilat ballafaqohen ato lidhur me qasjen në financa,
startimi i biznesit është një proces që ballafaqohet me sfida dhe pengesa të
ndryshme. Përveç sfidave që lidhen me konkurrencën e ashpër, depërtimin në treg
dhe krijimin e imazhit të mirë, bizneset ballafaqohen edhe me një varg
barrierash formale të imponuara nga institucionet shtetërore.
Hulumtimi empirik i realizuar me 250 ndërmarrës, ku 53.2% e bizneseve të
anketuara i përkasin kategorisë së bizneseve me veprimtari tregtare, 35.2%
veprimtarisë shërbyese, ndërsa 11.6% biznese të veprimtarisë prodhuese,
shpërfaq edhe një herë problemet dhe sfidat që me të cilatballafaqohen
afaristët kosovarë.
Discussion about this post