Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i ka komentuar raportimet se kancelarja gjermane Angela Merkel aktualisht është duke punuar për ta armatosur Kosovën.
Gjuriq ka thënë se nëse dikush dëshiron ta ndihmojë Prishtinën, duhet të dërgojë libra, e jo tanke.
“Kushdo që dëshiron ta ndihmojë Prishtinën, duhet t’u dërgojë atyre libra, jo tanke. Ajo duhet t’u dërgojë atyre Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244, libra mbi ligjin ndërkombëtar. Ju nuk mund ta përdorni një tank për t’u anëtarësuar në UNESCO, OKB, INTERPOL”, tha ai.
Sipas tij, armatimi nuk mund t’i detyrojë serbët që ta njohin Kosovën, ndërsa tha se shqiptarët duhet të mësojnë nga e kaluara.
“Më shumë se 100 vende e njohin pavarësinë e rreme? A do t’i detyrojnë tanket 120,000 serbë të Kosovës ta njohin një shtet të rremë? Dikush përgjegjës duhet t’u thotë shqiptarëve – mos ëndërroni t’i sulmoni serbët me tanke, a nuk ju ka mësuar e kaluara asgjë? Mësoni nga gabimet.. Ka mjaft armë në Ballkan. Le të mos e luajmë më atë lojë”, tha Gjuriq.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vendet më me ndikim të BE-së e njohin pavarësinë e Kosovës, pa shumë shanse që në të ardhmen e afërt ndonjë prej tyre të mund ta ndryshojë rrënjësisht pozicionin e vet.
“Pra, në atë dialog, Beogradi është në një pozitë shumë më të vështirë se Prishtina. Në atë dialog, ne po flasim jo aq shumë me Prishtinën, por me sponsorët e saj, sepse, për të mos qenë naivë, nuk është Prishtina që vendos për çdo gjë”, tha Gjuriq transmeton sinajli.
Mediumi rus, Sputnik, para pak ditësh raportoi se kancelarja gjermane Angela Merkel e ka dhënë dritën e gjelbër për ta armatosur Kosovën. Pas kësaj kishte reaguar ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Ai ka thënë se për këtë duhet të shqetësohet e gjithë bota.