Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, transmeton Gazeta Mejdani
Të gjithë anëtarët e këtij subjekti politik që janë të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues deri të hënën.
“Demokracia e brendshme është një nga shtyllat më të rëndësishme të organizimit tonë. Në përputhje me Statutin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019”, thuhet në njoftim.
Në secilën Qendër të Lëvizjes Vetëvendosje njoftohet se janë ngritur Komisionet Zgjedhore ad hoc të Qendrave, ku anëtarët e interesuar mund të drejtohen për çdo informacion të mëtejshëm.
“Me besimin e plotë në vlerat e demokracisë sonë të brendshme, ky proces synon të çojë përpara kandidatet dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje”, përfundon njoftimi./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post