Gastronomët e Kosovës me anë të një aksioni simbolik kanë protestuar duke ia dorëzuar Qeverisë dhe Kuvendit çelësat e bizneseve të tyre.
Sipas tyre, Qeveria e Kosovës me atë vendimit për kufizim të orarit ua ka vështirësuar punën e tyre.
“Sot është një aksion simbolik, po ua japim çelësin tonë se me vendimet e juve, ju na keni vendosur çelësin. Nëse qëllime tona nuk arrihen, ne nuk ndalemi. Presim përkrahje për atë se çfarë kemi kontribuar për 20 vjet. Nuk na dilni në përkrahje për tre muaj, marre. Ne dalim për idarën tonë e që po del të jetë idarja e juaj. Kur ne nuk jemi mirë, nuk janë mirë as prodhuesit vendor të pijeve, e as prodhuesit vendor të mishit, importues të kafeve, dizajnerët, sallonet e bukurisë, floktarë, bujqit dhe plotë sektorë të tjerë”, tha Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, përcjell Telegrafi.
Ai ka kërkuar që të miratohet rishikimi i buxhetit më qëllim që të përkrahen bizneset.
“I bëjmë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që ta kalojnë buxhetin, ndihmoni bizneset, sepse është koha e fundit që mund ta tregoni vetën. I bëjmë thirrje Qeverisë që të kthehet orari i punës deri në ora 24:00”, tha ai.
Kllokoqi ka treguar edhe cilat janë kërkesat e tyre që Qeveria e Kosovës duhet t’ua plotësoj.
“Kërkesat tona janë, subvencioni i pagave, mbulim i 50 për qind të qirasë, shtyrje të pagesave dhe deklarimeve, riprogramim të kredive dhe ulje të normës së TVSH-së në 8 për qind. Për sallat e dasmave që nuk kanë punuar këtë vit, kërkojmë rimburim të tatime të paguara nga këto biznese”, përfundoi Kllokoqi.