Sapo u fal namazi i xhumasë në Aja Sofia pas 86 vjete që ishte i ndaluar.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Afër dy milion njerëz mbushën Aja Sofinë, oborrin e saj dhe rrugët e Stambollit që qonin drejt Aja Sofisë. Shikuar në pamjet që sjellnin kamerat nga helikopterët që fluturonin mbi qiellin e hapur, dukej se gjysma e Stambollit ishte bllokuar nga xhemati në rrugë. Për më tepër, njerëzit ishin drejtuar në safe për ta falë namazin edhe nëpër anijet që ishin ndalë në ujërat e detit përreth saj. Para namazit, Erdogan lexoi “Fatiha”-n nga Kur’ani si të ishte një imam me përvojë, ndërsa Kryetari i Dijanetit e bëri një dua-lutje të cilën kurrë në jetën time nuk e kisha dëgjuar. Përveç tjerash, ai tha se Aja Sofia do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit e botës, pa dallim feje, race, gjuhe apo përkatësie.
Ezanin e namazit të xhumasë sot e kënduan katër mujezinë nga katër minaret e Aja Sofisë.
Falja e namazit të xhumasë sot në Aja Sofia, i dha fund “shpresave” për ndonjë tërheqje të mundshme nga qëndrimi që kishte marrë shtetit turk. Me gjithë përpjekjet diplomatike të shumta e presioneve që i vinin Turqisë dhe presidentit të saj, Erdogan, Aja Sofia tani më është xhami. Por e hapur për të gjithë. Jo vetëm për muslimanët, e as vetëm për ata që falin namazin në te.
Folur me gjuhën politike, Turqia dhe Erdogani i dërguan botës një mesazh të fuqishëm dhe shumë domethënës. Sikur duan të thonë se ata janë të zotët e vetvetes dhe vetë vendosnin për fatin e tyre. Personalisht, këtë veprim të Turqisë dhe Erdoganit e lexoj si, ose mbështetje e pa rezervë e një fuqie botërore që i’a dha Turqisë, ose Turqia nuk përfilli asnjë fuqi në botë. Turqia i sfidoi të gjithë ata që kundërshtuan ri-shndërrimin e Aja Sofisë në xhami. Erdogan kësaj radhe e dëgjoi vetëm zërin e arsyes së vetë dhe zërin e fuqisë së shtetit të cilin e udhëheqë.
Kthyer historisë, njëjtë sikur Noel Malcolm në librin e tij ‘Useful Enemies”, që e përshkruan rënien e Konstantinopojës si ngjarjen më të rëndësishme që kishte ndodhur deri atëherë në botë, edhe unë nga këtu e konsideroj faljen e namazit të xhumasë në ditën e sotshme si një prej ngjarjeve më të mëdha, më me ndikim dhe më të rëndësishme në 100 vjetët e fundit.
Malcolm në faqen e parë të po të njëjtit libër thotë: “Në mëngjesin e 20 qershorit të vitit 1453, anija që po sillte me vete lajmet nga Konstantinopoja arriti në Portin e Venedikut duke sjellë me vete lajmin se Konstantinopoja u pushtua nga Sulltan Mehmet Fatihu i II-të. Kumtimi i këtij ajmi shokoi Senatin në Pallatin e Doge-s dhe ngriti tërë Evropën në këmbë. Në Firencë, Casimo de’ Medici e përshkroi humbjen e Konstantinopojës si ngjarjen më tragjike që ka nodhur ndonjëherë në shekujt e fundit, ndërsa në Napoli, Mbreti Alfonso i V-të e thirri Evropën për tu bashkuar. Njëjtë kështu kishin reaguar edhe mbretërit dhe princërit e Spanjës, Portugalisë, Francës, Burgundit, Hohalëndës, Gjermanisë, Danimarkës dhe Anglisë”.
Nëse këto shtete sot nuk reaguan sikur 567 vjet më parë, në fakt, ngjarja e sotshme e ka po të njëjtën peshë dhe sjell po të njëjtin mesazh sikur atëherë. Ska dyshim se peshorja e fuqisë së shteteve vendimarrëse në botë ka ndryshuar dhe po ndryshon vazhdimisht. Para disa viteve, Erdogan nga foltorja e Kombeve të Bashkuara kishte thënë: Bota nuk është vetëm pesë shtete.
Aja Sofinë, para 567 viteve Sulltan Mehmet Fatiu i II-të e kishte shndërruar në xhami, ndërsa imami që e kishte falë xhumanë e parë aty ishte Ak Shemsedini. Sulltan Sylejmani i kishte qëndruar prapa. Edhe sot, Erdogani e bëri Aja Sofinë xhami, e vetë u falë në safin e parë menjëherë pas imamit.
E kjo ndodhi pas plotë 86 viteve.
Aja Sofia ka një histori 1500 vjeçare. Në Turqi njihët me emrin “Simboli i Çlirimit”.
Në fakt, kjo Aja Sofia që është sot, është e treta që është ndërtuar. Për herë të parë ndërtohet në vitin 360, por bizantinët e djegin. Pastaj ndërtohet për herë të dytë në vitin 461. Ndërsa kjo që është tani, është ndërtuar në vitin 537.
Kur Sulltan Mehmet Fatihu hynë mbi kalë në Konstantinopojë, vendin e parë që e viziton është Aja Sofia. Aty falë dy reqate namaz falënderimi, dhe pas namazit, i drejtohet priftërinjve që ishin fshehur aty se janë të lirë dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë apo dëmtojë.
Historiaografia flet se para rënies së Konstantinopojës, kubeja e Aja Sofisë ishte e rrënuar e tëra. Sulltan Mehmet Fatihu urdhëron riparimit e saj dhe kjo kube që është sot, është e kohës së Sulltan Mehmet Fatihut.
Në luftën e Çanakalasë, ushtria franceze tenton të futet në Aja Sofia ku paraprakisht kishte deklaruar se do ta shndërrojë sërish në Kishë. Aty ballafaqohet me forcat ushtarake të Ataturkut nën udhëheqjen e Ibrahim Pashës dhe nuk arrin dot ta pushtojë. Për Ibrahim Pashën thuhet se ishte shqiptar dhe i cili konsiderohej ndër gjeneralët më të pathyeshëm të ushtrisë turke të asaj kohe.