Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media pas takimit që e kishin paraprakisht.
Thaçi ka thënë se kanë diskutuar për shumë tema, e sidomos për dialogun me Serbinë, ndërsa mes tjerash ka theksuar se është spektik për arritjen e një marrëveshjeje me njohje reciproke nëse në proces nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Sinjali.
“Jam i bindur se pavarësisht diskutimeve që mund të zhvillohen në këtë apo në atë qytet, aty ku nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës jam skeptik se mund të ndodhë njohja reciproke, apo e di saktësisht se nuk ndodhë. Prandaj, jetike për ne si Kosovë është që në tavolinë dhe në procesin udhëheqës të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht, me Bashkimin Evropian”, deklaroi Thaçi.
Në anën tjetër, Hoti fillimisht e falenderoi Thaçin që e ka mirëpritur emërimin e Skender Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun me Serbinë, teksa ka thënë se do të kujdesen që në asnjë moment negociatat të mos rrëshqasin në nivel teknik.
“E informova presidentin për veprimet që i kemi ndërmarrë deri më tash… Ne do të kujdesemi që në asnjë moment dialogu të mos rrëshqas në nivel teknik, por ta mbajmë të fokusuar në objektivin tone kryesor që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve” tha ndër tjerash Hoti.
Hoti para pak ditësh ka paralajmëruar nisjen e draftimit të marrëveshjes finale me Serbinë që do ta përfshijë edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por presidenti vazhdon të jetë i bindur se me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk mund të ketë rezultat pozitiv për Kosovën.