Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se aksioni i fundit i institucioneve të Kosovës, kundër krimit dhe kontrabandës, është një veprim i mirëpritur dhe legjitim.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, von Cramon ka thënë se pret nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, që të sjellë rezultate konkrete që do të ndjekin proceset gjyqësore.
Sipas saj, arritja e marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, dëshmoi se Bashkimi Evropian ka kapacitet për të sjellë të ndërmjetësojë një marrëveshje që do të lejojë zgjidhjen paqësore dhe lëvizjen e lirë.
Eurodeputetja gjermane ka theksuar se BE dhe SHBA më në fund janë plotësisht të përafruara kur bëhet fjalë për dialogun Serbi-Kosovë dhe jo si në administratën e Donald Trumpit.
Von Cramon pret që dialogut mes të dyja vendeve, t’i jepet fund dhe të shihet rezultati.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Znj. Cramon, si e komentoni aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në veriun e Kosovës, kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar?
Viola von Cramon: Veprimet e Policisë së Kosovës në të gjithë Kosovën, pasi ato nuk ishin vetëm në veri, përfaqësojnë një kërkesë legjitime dhe përpjekje të vazhdueshme të qeverisë së kryeministrit Kurti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë kuptim, ky është një veprim i mirëpritur dhe legjitim. BE-ja i kërkoi në të gjitha raportet e tyre Kosovës që të merret me kontrabandën, korrupsionin si dhe krimin e organizuar.
“Bota sot”: Pala serbe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, se po bën shou para zgjedhjeve lokale në vend. Si i vlerësoni këto akuza, a mund të ketë ndonjë lidhje?
Viola von Cramon: Meqenëse erdhi vetëm dy ditë para zgjedhjeve, shumë e perceptuan këtë si pjesë të aktiviteteve parazgjedhore për të rritur tensionet. Nuk më takon mua të spekuloj për të. Fakti është se ne kemi parë rregull të ndryshëm të operacioneve në të gjithë vendin e jo vetëm në veri, se në veri ishte gjykatësi serb ai që udhëhoqi këtë operacion dhe se ai ishte i koordinuar me KFOR-in. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të mbetet e lartë në agjendën e kësaj qeverie në Kosovë dhe ne presim të shohim rezultate konkrete që do të ndjekin proceset gjyqësore. Nga ana tjetër, përdorimi disproporcional i forcës, veçanërisht në Zveçan, është për të ardhur keq.
“Bota sot”: Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, ka qortuar institucionet e Kosovës për këtë aksion, duke e quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar. A është dashur Qeveria të pyes BE-në për këtë aksion?
Viola von Cramon: BE -ja është thellësisht e përkushtuar ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kriza e fundit e targave të makinave ka demonstruar se BE-ja ka kapacitet për të sjellë negociatorët e Beogradit dhe Prishtinës në të njëjtën tryezë dhe të bëjë një marrëveshje që do të lejojë zgjidhjen paqësore dhe lëvizjen e lirë e të papenguar të mallrave dhe personave. Në atë kuptim, thirrja e Josep Borrell është të vendosë theksin se dhuna është e papranueshme, derisa BE mbetet shkelësi kryesor i marrëveshjeve në rajon.
“Bota sot”: Një tensionim i tillë i situatës në veri, a do të ndikojë në implementimin e marrëveshjes për targat e automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Viola von Cramon: Shpresojmë se kjo situatë nuk do të ketë një ndikim të qëndrueshëm në të dyja palët pasi unë do të doja shumë që Kosova dhe Serbia të ktheheshin në tryezën e negociatave dhe të trajtonin të gjitha çështjet e vështira, në vend që të kishin tensione të vazhdueshme.
“Bota sot”: Si të gjendet një zgjidhje paqësore dhe e qëndrueshme në këtë pjesë të Kosovës, që duket se është gati “të shpërthejë në çdo moment”?
Viola von Cramon: BE dhe SHBA më në fund janë plotësisht të përafruara kur bëhet fjalë për dialogun Serbi-Kosovë, gjë që për fat të keq nuk ishte rasti nën administratën Trump. Shpresoj që Perëndimi i bashkuar do të jetë në gjendje t’i japë fund dialogut që zgjat kaq gjatë, pasi ne tani kemi përafrimin dhe mbështetjen e plotë të partnerëve tanë transatlantikë për vazhdimin e bisedimeve, pasi vetëm përpjekja e bashkërenduar mund të sjellë rezultatin./Bota Sot/