Të paktën 7 civilë e kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore të regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë në zonën e deeskalimit në Idlib të Sirisë, transmeton Gazeta Mejdani.
Në sulmet ajrore të regjimit në fshatin Maarshimshe humbën jetën 4 civilë. Ndërsa në sulmin e avionit luftarak rus në fshatin Tuh humbën jetën 3 civilë.
Avionët e regjimit sulmuan edhe qyteza tjera brenda zonës së deeskalimit.
Situata në Idlib
Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.
Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.
Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht Marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Turqisë dhe Rusisë në shtator të vitit të kaluar, 945.992 civilë në zonën e deeskalimit janë zhvendosur ndërsa 1.282, përfshirë 219 gra dhe 341 fëmijë, kanë humbur jetën nga sulmet e regjimit dhe Rusisë./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post