Studentët sot kanë më pak të drejta sesa kishin dikur studentët në diktaturë! Ata janë qenie pa të drejta! Përderisa këto i gëzojnë studentët në të gjithë Evropën, asgjë më pak nuk duhet pranuar për studentët e universiteteve publike! Pa liri nuk ka njohuri!
Shkruan: Akademik Artan Fuga
Kartë Lirish dhe të Drejtash Studentore
Propozuar të gjithë maturantëve dhe studentëve në Shqipëri
1. Studenti ka të drejtë t’a zgjedhi lirisht profilin e studimeve që dëshiron të ndjeki në të gjitha IAL e territorit shqiptar!
2. Studenti ka të drejtë të rregjistrohet drejtpërdrejt në IAL që dëshiron pa e kaluar kandidaturën e tij në agjenci apo hallkë tjetër seleksionuese shterore. Këto të fundit mund të luajnë një rol orientues, por jo shtrëngues në zgjedhjen e profilit të studimeve. Pranimi në degët e studimeve universitare kryhet mbi bazën e meritës dhe rezultateve në plotësimin e kritereve të përcaktuara një herë në tre vjet nga cdo IAL.
3. Studenti ka të drejtën të gëzojë një status shoqëror të veçantë të mbrojtur nga shteti dhe të mbështetur në lehtësira, privilegje, shërbime shtesë, zbritje çmimesh në të gjithë territorin e Republikës të Shqipërisë. Ky status i studentit përcaktohet me një ligj të veçantë. Shkalla e trajtimeve të veçanta dhe lloji i tyre përcaktohet çdo vit nga dikasteri që mbulon arsimin e lartë dhe financat! Mbështetja financiare e këtij statusi parashikohet në buxhetin e shtetit.
4. Studenti ka të drejtë të njihet paraprakisht me IAL, fakultetin dhe departamentin ku dëshiron të ndjeki studimet me anë të të gjitha praktikave që duhen parashikuar me ligj dhe rregulloret përkatëse.
5. Me rregjistrimin e tij në një IAL studenti ka të drejtë të lidhi një kontratë me institucionin arsimor ku përcaktohen të gjitha të drejtat dhe detyrimet e tij. Kjo kontratë që lidhet qysh me rregjistrimin e tij në IAL trajtohet si të gjitha marrëdhëniet e tjera kontraktuale në të drejtën civile.
6. Studenti ka të drejtë të ndjeki të gjitha nivelet e profileve të studimit që njeh ligji për arsimin e lartë. AI ka të drejtën e të nxënit përgjatë gjithë jetës duke kombinuar mbështetjen financiare shoqërore dhe kontributin e vet personal.
7. Studenti ka të drejtë të rregjistrohet për lëndët e parashikuara në programin mësimor te cdo pedagog që mbulon atë lëndë në IAL ku është rregjistruar sipas zgjedhjes të tij të lirë.
8. Studenti ka të drejtë të kërkojë të vlerësohet nga pedagogë dhe komisione që sigurojnë gjykim të drejtë dhe pa konflikt interesi. Ai ka të drejtë të refuzojë paraprakisht të merret në provim nga pedagogë që i konsideron në konflikt interesi me një vlerësim të drejtë të dijeve të tij.
9. Studenti ka të drejtë ta ndjeki lirisht dhe pa detyrim pranie të detyrueshme procesin mësimor të profilit të studimeve ku është rregjistruar.
10. Studenti ka të drejtë të marrë të gjitha informacionet që lidhen me veprimtarinë mësimore, shkencore, administrative e financiare të njësisë kryesore ku ai bën pjesë si edhe të vetë IAL ku është rregjistruar.
11. Studenti ka të drejtën e respektimit të dinjitetit të tij brenda dhe jashtë mjediseve të IAL sipas Kushtetutës të RSH, ligjeve në fuqi, ligjit për arsimin e lartë dhe statutit dhe rregulloreve të IAL, etj.
12. Studenti i ka të drejtën e përdorimit të gjitha mundësive materiale dhe shkencore e administrative që IAL vendos në dispozicion të shërbimit të studentit.
13. Studenti ka të drejtë të njihet me përgjigjet e sakta të pyetjeve të cilave u nënshtrohet në provime dhe procedura të tjera të kontrollit të njohurive. Ai ka të drejtë të njohi korrigjimet e përgjigjeve të tij nga ana e pedagogut apo pedagogëve që i testojnë dijet.
14. Studenti ka të drejtë të shprehi pa asnjë pengesë, censurë dhe presion të gjitha bindjet, besimet, opinionet e veta politike dhe ideologjike, në përputhje me të drejtat e qytetarit të RSH në kushtetutë e vendit, kudo ku ai e sheh të arsyeshme, brenda dhe jashtë procesit mësimor, dhe të mos ndëshkohet ose pësojë vlerësime negative për to.
15. Studenti ka të drejtë të organizohet në shoqata studentore lirisht dhe të përfaqësohet drejtpërdrejtë ose nëpërmjet tyre në të gjitha vendimmarrjet dhe organet drejtuese që lidhen me drejtimin e IAL dhe njësitë e tij mbi bazën e peshës së tyre elektorale te studentët. Lidhur me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtave të tyre, të njohura botërisht, studentët e përfaqësuar në forumet e tyre në nivel njësie kryesore ose IAL janë palë vendimarrëse me të drejta të plota. Përfaqësimi i studentëve në këto forume bashkëadministruese të njësive kryesore dhe të IAL bëhet mbi bazën e peshës elektorale midis studentëve të organizateve studentore të formuara lirisht.
16. Studenti ka të drejtë të kryejë veprimtari shoqërore në mjediset universitare pa pengesë, por jo në shërbim të partive politike dhe me logon e tyre, në respekt të të drejtave të të gjithë sensibiliteve të tjera sociale dhe pa penguar procesin mësimor. Për këtë qëllim ai përdor sipas planifikimit me administratën, pa kufizim kohor ose hapësinor, të gjitha mjediset e fakultetit ku është rregjistruar.
17. Studenti ka të drejtën e ankimit në të gjitha instancat drejtuese të IAL në rast se konstaton se është viktimë harselimi, presionesh, diskriminimi dhe e të gjitha praktikave të tjera të dënueshme nga kuadri ligjor ose etik.
18. Studenti ka të drejtë të marri pjesë lirisht në të gjitha mbledhjet e departamentit ose dekanatit të njësisë kryesore të IAL ku është rregjistruar dhe të njoftohet për to dhe rendin e tyre të ditës.
19. Studenti ka të drejtë të njihet paraprakisht me përmbajtjen e programit dhe planit mësimor të profilit të studimeve ku është rregjistruar dhe të çdo lënde të tij.
20. Studenti ka të drejtë të zgjedhi të deleguarit studentë që shprehin vullnetin kolektiv. Statusi dhe kompetencat e të deleguarve parashikohen në rregulloret e IAL.
21. Studenti ka të drejtë të informohet mbi tematikën e të gjitha mbledhjeve si edhe vendimet e dekanatit dhe të njësisë bazë. Ai ka të drejtën e aksesit në të gjitha dokumentet e mbledhjeve dhe vendimeve të Rektoratit, Senatit, Dekanatit dhe të njësisë bazë që mbulon programin e tij mësimor.
22. Studenti ka të drejtë të marri pjesë lirisht nëpërmjet lëndëve me zgjedhje në formimin e kurrikulumit të programit të studimeve ku ai është rregjistruar.
23. Cdo njësi bazë ka detyrimin të përcaktojë për cdo vit akademik sasinë e lëndëve me zgjedhje dhe emërtimin e tyre që i lejojnë studentit të ketë liri zgjedhjeje për plotësimin e krediteve të kërkuara.
24. Askush nuk ka të drejtë t’i imponojë studentit temën e një punimi kursi apo teme diplome. Ato përcaktohen vetëm pasi studenti është dakord të punojë mbi to.
25. Pronësia intelektuale e çdo punimi shkencor, studimi, punimi kursi ose diplome i takon ekskluzivisht studentit që është autor.
26. Studenti ka të drejtë të marri dije shkencore bashkëkohore të nivelit më të lartë. Ai ka të drejtë të refuzojë të marri pjesë në leksione që gjykohen kolektivisht prej studentëve nën nivelin e pranueshëm cilësor.
27. Studenti ka të drejtë të marri pjesë në të gjitha veprimtaritë shkencore ku ftohet të bashkëpunojë nga pedagogët e tij që mbulojnë lëndë në kurrikulën e programit të studimeve ku është rregjistruar.
28. Studenti ka të drejtë të refuzojë cdo detyrim mësimor ose shkencor nëse ai nuk është kompensuar zyrtarisht dhe sipas rregullave në fuqi në rrugë financiare ose me kreditet përkatëse.
29. Studenti ka të drejtë të refuzojë të angazhohet ekonomikisht qoftë edhe me pagesë nga sipërmarrje në pronësi të pedagogëve të tij.
30. Nëse IAL ose njësia kryesore kryejnë shërbime për të tretët, studentet pjesëmarrës në to, kanë të drejtën e informimit për të gjitha aspektet financiare dhe shkencore të projektit si edhe të marrin pjesë në të me të drejta të përcaktuara qartë sikurse edhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
31. Studenti ka të drejtë të ketë akses falas në dokumente bazë mësimore, të shkruara ose të rregjistruara (libër, tekst, monografi, cikël leksionesh të shkruara, fashikuj kapituj monografish, video, etj,), ku të jepen njohuritë themelore të përmbajtjes të lëndës, paraqitur nga pedagogu i lëndës dhe aprovuar zyrtarisht si të tillë me vendim të njësisë bazë që mbulon lëndën përkatëse.
32. Studenti ka të drejtë të ketë informacion për një bibliografi të gjerë vendase ose të huaj, që trajton problemet dhe temat e lëndës ku ai merr pjesë. Kjo realizohet me anë të detyrimit që ka pedagogu për ta dhënë këtë informacion në sillabusin e lëndës që mbulon. Studenti ka të drejtë të ketë literaturën edhe në web si edhe në vide dhe në të gjitha format e platformave online dhe të ekraneve të vegjël.
33. Studenti ka të drejtë të refuzojë zhvillimin e mësimit në cdo lëndë nëse për të nuk ka një akses falas dhe të mjaftueshëm në dokumente të përmendur më sipër.
34. Studenti ka të drejtë të studjojë dhe të paraqitet në provim për një lëndë me literaturë dhe përqasje tjetër alternative nga ajo që i është propozuar nga pedagogu i lëndës.
35. Studenti ka të drejtë të paraqesi punimin e tij të diplomës drejtpërdrejt komisionit vlerësues edhe nëse pedagogu drejtues të mos jetë aprovues për të.
36. Asnjë pedagog nuk ka të drejtë t’i imponojë studentit jashtë vullnetit të tij studimin e një literature të caktuar.
37. Studenti ka të drejtë që në fund të cdo programi studimesh të kryer të paiset me një diplomë me titullim shkencor si edhe me njohje kompetencash profesionale për integrimin brenda një profesioni të njohur me ligj në tregun shqiptar dhe më gjerë.
38. Cdo program studimesh duhet të finalizohet me njohje kompetencash brenda një ose disa profesioneve të njohura me ligj.
39. Studenti ka të drejtën që në provim të paraqitet me njohuri të marra lirisht në burimet dokumentare, bibliografike apo tekstuale të zgjedhura lirisht.
40. Studenti nëse sheh praktika hapur dhe dukshëm në kundërshtim me të drejtat e tij, me statutin e IAL ose rregulloret e njësive bazë, ka të drejtë të braktisë ose refuzojë të marri pjesë në lëndët ku këto konstatohen kolektivisht ose individualisht.
41. Studenti ka të drejtë të shprehet me anë të sondazheve dhe metodave të tjera për cilësinë e mësimdhënies në çdo lëndë të programit të studimeve, pas mbarimit të kontrollit të njohurive. Detyrimin për ta realizuar këtë të drejtë e ka njësia bazë që është përgjegjëse për atë program mêsimor.
42. Studenti që provon me anë të një dokumenti të njohur ligjërisht për cdo vit akademik që vërteton se ai është në marrëdhënie pune ka të drejtën e adaptimit të pjesëmarrjes në mësim dhe të rregjimit të kontrollit të dijeve në përputhje me statusin e studentit të punësuar.
43. Studenti pasi ka përfunduar me sukses vitin e parë të studimeve, në programin e studimeve ku është rregjistruar, i lind e drejta të ndjeki njëkohësisht, sipas parapëlqimeve të tij, edhe një ose më shumë programe të tjera studimesh, plotësuese me të parin, brenda ose jashtë njësisë kryesore ku është rregjistruar fillimisht. Për këtë studenti është vetë përgjegjës për të krijuar kushtet kohore, etj. Rregjistrimi në njëe program të dytë bëhet sipas tarifave në fuqi.
44. Pas rregjistrimit në IAL studenti ka të drejtën për shërbime falas që lidhen me realizimin e statusit të tij universitar në fakultetin ku është rregjistruar. Studentët me aftësi fizike të veçanta kanë të drejtë të marrin të gjitha shërbimet shkencore, pedagogjike falas, dhe të kenë akses dinjitoz dhe të barabartë me të gjithë studentët e tjerë në procesin mësimor dhe në të gjitha veprimtaritë e tjera universitare brenda dhe jashtë procesit mësimor.
45. Studenti ka të drejtë të shfrytëzojë gjatë dhe jashtë procesit mësimor të gjitha hapësirat kulturore, sportive, argëtuese që janë në dispozicion të IAL ose Fakultetit. Studenti ka të drejtë të ketë shërbime kafeterie, etj., me çmime të arsyeshme, në mjediset e Fakultetit ku kryhen studimet.
46. Studenti ka të drejtën për të kërkuar këshillim të vazhdueshëm për karrierën e tij si edhe për trajektoren e studimeve. Qendra e këshillimit të karrierës është e detyrueshme për cdo fakultet të IAL.
47. Studenti me probleme shëndetësore ka të drejtë për trajtime të veçanta që i mundësojnë ndjekje normale të studimeve. Studenti ka të drejtën e shërbimeve të urgjencës dhe të konsultave psikologjike pranë cdo fakulteti.
48. Studenti ka të drejtë të marri pjesë në zgjedhjen e të gjitha autoriteteve drejtuese të departamentit, dekanateve dhe rektoratave etj të IAL sipas peshës elektorale që përcaktohet me ligj.
49. Studenti ka të drejtën të njihet me të gjitha mundësitë për bursa, shkëmbime dhe stazhe në universitete të tjera të vendit ose të huaja dhe te perfitoje prej tyre.
50. Studenti ka të drejtën të ketë trajtesë financiare të favorizuar në varësi të ecurisë të rezultateve të tij si edhe të gjendjes financiare të familjes të tij.
51. Studenti ka të drejtë të pajiset me kartën e studentit që me rregjistrimin e tij dhe në bazë të saj ai fiton trajtime të favorizuara në të gjithë territorin e RSH sipas përcaktimeve që përcaktohen me ligj të veçantë.
52. Studenti ka të drejtë t’i zhvendosi lirisht studimet e tij nga një IAL te tjetra mbi bazën e pranimit në IAL ku tashmë është rregjistruar.
53. Studenti ka të drejtë për kushte studimi normale duke pasur një vend pune korrekt dhe të veçantë në auditor.
54. Studenti në IAL ku është rregjistruar ka të drejtën e aksesit pa kufizime në Internet dhe të një hapësire virtuale në web ku i vijnë informacionet pedagogjike, shkencore dhe administrative.
55. Studenti ka të drejtë të rregjistrojë audio dhe video leksionin e pedagogut në auditor dhe detyrimin për të mos i keqpërdorur ato për qëllime jo mësimore ose shkencore.
56. Studenti ka të drejtë të ketë orientim dhe akses në web dhe në të gjitha teknologjitë e reja të informim – komunikimit për të përfituar njohuri brenda dhe jashtë procesit mësimor.
57. Studenti ka të drejtë të marrë nga administrata e Fakultetit ku kryhen ose ka kryer studimet menjëherë sipas kërkesës dhe brenda 48 orësh nga bërja e kërkesës të cdo dokument që i njeh identitetin e tij studentor duke e përdorur atë sipas nevojave.
58. Studenti ka të drejtë të marri falas nga fakulteti ku është rregjistruar shërbim psikologjik bazik dhe shërbim mjekësor dhe të bëjë ekzaminimet mjeksore bazë për cdo dy vjet, mbuluar nga fakulteti ku bën pjesë.
59. Studenti ka të drejtë të ketë brenda hapësirave të fakultetit ku kryen studimet hapësira tregtare ose shpërndarës automatikë produktesh për konsumin ushqimor.
60. Studenti ka të drejtë të kërkojë mbështetje me avokat nga IAL ku është rregjistruar për të gjitha ceshtjet që lidhen me statutin e tij si student.
61. Studenti ka të drejtë të njohi vlerën e diplomës të degës ku është rregjistruar, qysh përpara rregjistrimit, vlerë e matur sipas kritereve kombëtare dhe universale. Studenti ka të drejtë të njohi parametrat që lidhen me tregun e punës në profesionet që mbulon diplomat e tij e ardhëshme, shkallën e papunësisë intelektuale në atë fushë, strategjitë publike për punësim në atë fushë së paku për dhjetë vitet e ardhëshme duke nisur nga data e përfundimit prej tij e studimeve në shkollën e mesme.
62. Studenti ka të drejtën e bërjes pjesë te një urdhër profesional, aksesi te i cili ja mundëson njohja prej këtij urdhëri e diplomës dhe arritjeve të tij personale në universitet. Fakulteti i detyrohet studentit të pajisë atë sipas meritës me një diplomë të njohur së paku nga një urdhër profesional brenda ose jashtë vendit.
63. Studenti që ndërpret studimet ka të drejtë të zotërojë një dokument zyrtar lëshuar nga IAL ku shënohen të gjitha kreditet e marra, lëndët ku është kualifikuar, si edhe vitet e përfunduara të studimeve, bashkë me informacione që e plotësojnë këtë kuadër.
64. Emërimet e studentëve në punësimin e tyre të parë në sektorin publik ose për një periudhë brenda pesë viteve nga çasti i diplomimit të tyre nuk mund të anashkalojnë kriterin e rezultateve në studimet universitare të çdo kandidati. Studenti me rezultate më të larta në këto kushte ka përparësi absolute në punësim. Kjo e drejtë integrohet në ligjin mbi administratën publike.
65. Shprehja, njohja dhe sigurimi i të gjitha të drejtave studentore të kësaj Karte të drejtash dhe lirish studentore bëjnë pjesë në kriteret bazë për themelimin dhe akreditimin e çdo IAL dhe janë kritere themelore që vlerësojnë cilësinë e veprimtarisë të tij nga organizmat përkatëse.