Qeveria po planifikon që me Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike COVID-19, të ndryshohen tetë ligje me qëllim të riparimit të dëmeve në ekonomi të shkaktuara nga pandemia.
Në nenin 9 të këtij Projektligji parashihet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.
“Me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministri i Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy (2) vite nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave”, thuhet në draftin e këtij projektligji.
Ky Projektligj që pritet të procedohet po ashtu parasheh që të mos ketë ndëshkime për mospagesën e deklaratës tatimore.
“Për mos pagesën e deklaratës tatimore të ndikuar për shkak të pandemisë për vitin 2020 dhe 2021 sipas dispozitave të këtij neni nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, sipas kritereve si në vijim:
Për mos pagesën e deklaratës tatimore për vitin 2020 nuk shqiptohet ndëshkimi administrativ, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021; dhe
Për mos pagesën e deklaratës tatimore për vitin 2021 nuk shqiptohet ndëshkimi administrativ, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2022.
Të gjitha ndëshkimet administrative të shqiptuara në vitin 2020 shfuqizohen nga ATK-ja dhe vonesat trajtohen sipas paragrafit 4 të këtij neni”, thuhet në këtë draft.
Përveç këtyre, ky Projektligj do të mundësojë që Fondi Kosovar për Garanci Kreditore të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës deri në 80 %, të bëhet tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale dhe të aplikohet norma e reduktuar të TVSH-së në 8 % edhe për furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit.