Si President i Kosovës, nuk guxon të jetë as ‘i dyshuar’.
Të merresh për tre ditë rresht në pyetje për vrasjen e 100 njerëzve dhe të vazhdosh të jesh ‘President’ është nivel shumë i ultë, dhe hajts s’paska lidhje morali, por ama s’të ndihmon aspak.
Sepse në këto raste njeriu duket i mundur ‘si i vdekuri që kapet prej fijes së kashtës’.
S’ka lidhje ‘a je fajtor a s’je’, kryesore je ‘i dyshuar’, dhe kjo dramë është e tmerrshme për Hashim Thaçin, jo për neve, e hiç se hiç për Kosovën.
‘Ranaci’ që po e mban në njërin krah, po e bën të duket qesharak, sepse çanta e shpinës shkon veç me veshje sportive dhe nuk është për takime zyrtare. Askush s’të merr seriozisht kur të sheh të n’atë ditë.
Me rrypin e çantës në njërin krah, po duket sikur e ka marrë ‘bukën me vete’ dhe sikur krejt jeta e tij është e mbyllur në atë çantë.
E pyeta online një interpretues japonez të ‘gjuhës së trupit’ se çka do të thotë kur në zorin më të madh dikush e mbanë njërën dorë në xhep.
Tha është gjest defensiv, që shpreh pafuqinë dhe turpin.
Padyshim që ndjehesh i turpëruar, i vetmuar dhe i pafuqishëm (a ka paradoks më të madh sesa të jesh President e të ndjehesh i pafuqishëm), por ti nxjerre bile gishtin e madh prej xhepi, kishe s’po ta ndin.
Me mbajt fjalim aq të varfër me letër në dorë, pa pasur aftësi me fol kah del shpirti, shqip, prej zemrës, tregon se ka ‘disa të vërteta’ që i stabilizon gjuha ‘e huaj’, anipse psikologjia e ka vërtetuar se kur njeriu mendon në ‘gjuhë të huaj’ e pengon imagjinatën, por merr vendime më racionale kur mendon në gjuhë të huaj (sepse nuk ndjen, sigurisht).
Ka logjikë.
Vëni re: kur shqiptari të shpreh dashni në anglisht, rren. Sidomos kur vuajnë anglisht për ‘gjyshet e vdekura’, është njësoj sikur amerikani me ngushëllu veten shqip ose me dashuru shqip.
Qesharake pra.
Bile – bile, sinqeriteti i shpirtit s’e duron as gramatikën, sepse gramatika është e ftohtë, është solemne, i hekuros ndjenjat dhe mendimet, e gjaku gjithmonë është i nxehtë.
Mos i beso atij që ka nge t’i përdorë dy T-ja kur të flet me shpirt 😂 (si për shembull te ajo kënga: Të të them Je lule (ti je më e bukur).
Po duket karikaturë, me çantë alpinisti në krah e me kundra të zeza, me kravatë të kuqe (që kurrë nuk e ka përdorë të kuqen e dhezt sidomos 28 nëntorëve, prej se u kry lufta, veç mos m’u duk shqiponjë, mos m’u duk gjaknxehtë, po gjithmonë ka shku kah një e pembe me anim kah qershia).
Boll u mundu m’u bë ‘tjetër njeri’, mos m’u duk patriot;
mos m’u duk hakmarrës;
mos mu duk i prapambetur;
me fshi të kalumën, përfshi dhimbjen e viktimave të terrorit serb;
boll u mundu me ia harru Serbisë masakrat (vet fakti se nuk e inicoi asnjë padi për krime ndaj Serbisë dhe desh’ u tranu derisa e rrëzoi qeverinë Kurti që e kishte në plan qeverisës me paditë Serbinë!
Boll u mundu m’u bë shok me amerikanët!
Po ku ka shokë në Amerikë, pash nanën.
S’ka shokë në Kosovë, jo në Amerikë.
S’e ke lexu ti Ciceron që e ka ‘zbuluar’ pse ‘jeta është kaq e dhimbshme…sepse historia e njerëzimit nuk njeh tre qifte miqsh të vërtetë’.
Gadafi në më mirën stinë, e ngrehte shatorin në oborrin e Trumpit (se kish fobi të flinte në hapësira të mbyllura), por kur i erdh sahati i dekës, e harruan ‘shokët’ dhe vdiq në hapësia publike, në duar të njerëzve të mllefosur me të.
S’ka shokë që të shpëtojnë nga vetvetja.
Gjynah që e ka rrejt veten dhe e ka pas shpall në Kosovë që ‘amerikanët veç Hashim Thaçin e bëjnë hesap për njeri’.
Po, qysh jo.
Presidenti Thaçi, para grilave të Hagës (i vetmi pa maskë), prap foli për pajtimin me Serbinë,
(në vend se të fliste për krimet e Serbisë në Kosovë);
– prap foli për fqinjësi të mirë, ju ka tek, kujton se liria e tij ‘varet’ nga Serbia.
Dhe se Serbia mundet me pas ‘rahmet’ për të nëse ky sillet ‘urt e butë’ me të, e jo qysh e ka mësu përvoja historike dhe idiomat shqiptare se si Serbia e mban thikën ‘nën jastëk’ për shqiptarin.
S’ka ‘viktimë’ që i ‘vardiset’ xhelatit kështu me kaq patetikë, si Hashim Thaçi.
Ama, mos në emër të popullit dhe shtetit të Kosovës, se populli dhe Kosova nuk janë të dyshuar për krime, nuk janë ‘as në tokë e as në qiell’, para dyerve me grila të ndryshkur të Hagës. Ti je aty, dhe prandaj fol Ti në emrin tënd personal.
P.S.
Në vitin 62 (para Krishtit), gruaja e Cezarit, Pompea, e organizoi një festë në shtëpinë e saj, festën për nder të perendeshave ‘Bona Dea’.
Në festë ishte e ndaluar të merrnin pjesë meshkujt.
Por, një fisnik i ri, Clodiusi, i veshur si grua, ia doli të përvidhet në festë, për ta joshur Pompean.
Clodiusi u zu në vepër dhe u ndjek penalisht për përdhosje.
Por për habi, në gjykatë, Cezari nuk e dha asnjë evidencë kundër Clodiusit dhe Clodiusi u lirua.
Cezari menjëherë e shkurorëzoi Pompean, duke thënë se ‘Gruaja ime nuk bën të jetë as e dyshuar’.
Prej këtu e ka ‘prejardhjen’ proverbi që thotë ‘Gruaja e Cezarit s’duhet të jetë as e dyshuar’.