Bekim Pireva, biznesmeni nga Kosova, është arrestuar dje nga Policia në rastin e njohur si Brezovica.
Lajmin e ka konfirmuar prokurori i çështjes, Rasim Maloku.
“Po, i njëjti është arrestuar, dhe sot ka dalë para gjykatës. Ai ka pranuar të bashkëpunojë, ndërkohë masa ndaj tij ende nuk është marrë”, ka thënë prokurori Maloku.
Pireva, që është edhe oratku i Idriz Thaçit, vëllait të ish-Presidentit Hashim Thaçi, sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, dyshohet për “dhënie të ryshfetit”, “ushtrim të ndikimit” dhe “mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2017, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare në atë mënyrë që përmes një personi tjetër i ka dhënë 10 mijë euro të pandehurit Bratisllav Nikoliq për të ia mundësuar marrjen e lejes ndërtimore në vikend-zonën e Brezovicës, të Parkut Kombëtar “Sharri” i cili ka ndërtuar në kundërshtim me ligjin për ndërtim, ligjin për ujërat e Kosovës, ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe ligjin për planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, shkruhet në dosjen e prokurorit Maloku, transmeton Gazeta Insajderi.
Ndërkohë, dje janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, në mesin e të cilëve ka qenë edhe Xhelil Bekteshi, ish-sekretari i ministrisë së Infrastrukturës.
Aksioni i djeshëm është vazhdim i disa aksioneve të mëhershëm për rastin “Brezovica”, çështje për të cilën janë arrestuar dhjetëra persona që dyshohen për “degradimin dhe shkatërrimin” e ambientit të Brezovicës.
Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.